Report Tv zbardh detaje të reja në lidhje me dhunimin e biznesmenit libanez me pasaportë amerikane, Faad Mitri ngjarje e ndodhur të shtunën në mesditë.
 
Burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës thanë për REPORT TV, se shkak i konfliktit ka qenë fotografimi i mjetit të autorëve nga biznesmeni libanez. Ky i fundit mësohet se është i apasionuar pas fotografisë dhe për këtë shkak vazhdimisht fotografon objekte, njerëz apo vend.
 
Biznesmeni ka shpjeguar para hetuesve se autorët e kanë parakaluar me makinë dhe drejtonin mjetin shpesh herë në shkelje të rregullave të qarkullimit. Ai gjatë gjithë kohës ka bërë fotografi, cka nuk i ka pëlqyer autorëve.

Të irrituar nga veprimet e tij, ata e kanë përplasur qëllimisht mjetin. Pas disa momentesh ata e kanë dhunuar, çaste të cilat janë fotografuar sërish nga Mitri.

Nga fotografitë e kqyrura nga policia është fiksuar se mjeti i autorëve ishte një “Volksëagen” Tuareg me targa italiane. Po ashtu libanezo- amerikani, ka fiksuar në foto nga pas një person që e bën të vështirë identifikimin.

Sipas policisë dyshohet se personat që goditën Mitrin mund të kenë qenë në kërkim, apo mund të jenë trembur për faktin se pse ai po i fotografonte. Për këtë ngjarje janë shoqëruar 13 persona.

Ndërkaq policia thotë se vetë i dëmtuari nuk ka ngritur ndonjë pretendim mbi autorët, apo mbi shkaqet e ngjarjes. Po ashtu ai mësohet se ka nuk ka ngritur pretendime se është dhunuar për shkak të funksionit të tij si administrator i një kompanie që investon një resort në Gjirin e Lalzit.

Pavarësisht këtij pretendimi policia thotë se po verifikon edhe këtë pistë me qëllim sqarimin e plotë të të gjithë dinamikës dhe shkaqeve të mundshme të ngjarjes.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)