TEPELENË-Një 26-vjeçare nga Tepelena, nënë e dy fëmijëve ka rënw pre e dhunës së ushtruar nga xhaxhai i të shoqit të saj. Shkak ka qenë kujdestaria e fëmijëve të 26-vjeçares.

Ngjarja ka ndodhur 4 ditë më parë kur 51-vjeçari M. Tafilaj nga Tepelena ka goditur me grushte në fytyrë e trup të venë e djalit të vëllait duke i shkatuar asaj dëmtime fizike.

Sipas rrëfimit të vetë të dëmtuarës gjithçka ka ndodhur në qendër të qytetit Tepelenë në prani të djalit të saj të vogël 5-vjeçar, të cilin 51-vjeçari kërkonte t’ia rrëmbente nga duart. Pas kundërshtimit të nënës ai e ka goditur me grushte dhe si pasojë e goditjes 26-vjeçarja ka humbur ndjenjat.

Kanë qenë kalimtarët e rastit të cilët kanë lajmëruar më pas ambulancën. Konflikti midis palëve duket se ka si shkak kryesor paaftësinë e nënës për t’u kujdesuar për fëmijët, pretendim i ngritur nga familjarët e të shoqit.


4 vite më parë i shoqi i saj humbi jetën në një aksident rrugor, ndërsa Yllka Tafilaj pësoi goditje të rëndë në kokë. Sot ajo ka si të ardhura të vetme pagesën e kempit, ndërsa shprehet se ka të nevojshme të punojë për të rritur fëmijët e saj.

Ajo kërkon ndihmën e shtetit, ndërsa sot është nën një urdhër mbrojtjeje pasi ndihet e frikësuar për veten dhe fëmijët e saj.




Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)