Analisti dhe gazetari Ilir Demaliaj është dhunuar në afërsi të shtëpisë së tij. Në fotot e publikuara në media, dallohet se dëmtimet që i janë shkaktuar Demalisë janë të dukshme në pjesën e fytyrës.

Vetë Demalia pretendon se sulmi nuk ka të bëjë me motive politike. Në kallëzimin që ka depozituar në polici, mësohet se Demalia ka pretenduar në polici se sapo ka dalë nga banesa është dhunuar.

Ai pretendon se autor është një banor i zonës, që e kishte akuzuar se kishte lajmëruar policinë për të shkuar për të gjobitur makinat e parkuara keq në rrugë. Policia ka identifikuar dhe e ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar.

"Sot, më datë 01.07.2026, rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”, dyshohet se, për motive të dobëta, është goditur me grusht gazetari, shtetasi I. D., i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. S., i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në vijim të veprimeve procedurale, është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të përdorur nga autori i dyshuar", njofton policia. 

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.