Gazetari Ervin Dushi ka denoncuar në Policinë e Shkodrës se është dhunuar mbrëmjen e sotme rreth orës 20:00 nga disa persona.
Sipas kallëzimit para bluve, gazetari Dushi pretendon se autor i dhunës ka qenë Prelë Gjoni, së bashku me disa persona të tjerë që ndodheshin me të. Gjoni njihet si pronar i rrjetit të marketeve ‘Xhedis’ në Shkodër.
Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, por Dushi rezulton të ketë disa shenja dhune në fytyrë. Ai pretendon se ngjarja lidhet me një denoncim të bërë prej tij disa kohë më parë, në mbështetje të një punonjëseje të rrjetit të marketit të Gjonit, e cila kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin e kompanisë.
Duke folur për gazetarin e Report TV, Dushi tha se dhunimi i tij erdhi pas një takimi që i ishte kërkuar nga pronari i rrjetit të marketeve ‘Xhedis’, Prelë Gjoni, me pretendimin për të sqaruar një denoncim të mëparshëm të tij, lidhur me kërcënimin e një qytetari.
“Rreth orës 20:00 jam takuar me pronarin e rrjetit të marketeve Xhedis në Shkodër dhe pretendimi i tij ishte se kishte kërkuar numrin tim personal, e kishte kërkuar avokati i tij. Pasi pak kohë më parë në rrjetet sociale kam publikuar disa video, që i kanë marrë media të ndryshme, ku ai kërcënonte një qytetar. Dhe pretendimi ishte që avokati i tij kishte kërkuar takim me mua, për të diskutuar se çfarë faktesh kemi lidhur me këtë kërcënim”, tha mes të tjerash Dushi.
Dushi shpjegoi më tej se autorë të dhunës ishin Prelë Gjoni dhe 2 persona të tjerë, ndërsa një person i katërt, sipas tij ndaloi përplasjen dhe e ndihmoi.
Gazetari shtoi se autorët e dhunuan në mënyrë barbare, teksa në fytyrë kishte edhe shenja të shumta nga goditjet.
“U paraqita në mënyrë miqësore, pasi pak kohë më parë kisha pirë edhe një kafe me zotërinë. Krejt i pavetëdijshëm, nuk e prisja takimin. Dhe ky është rezultati i takimit me pronarin e marketeve Xhedis, Prelë Gjoni. Ishte veti i katërt, ku 3 nga ata u involvuan në goditjen time, ndërsa personi i katërt u mundua të ndante, të ndalonte dhe më mori në lokalin e tij për të më ndihmuar. Tre nga personat më goditën në mënyrë të pamëshirshme. E gjithë goditja erdhi si shkak i detyrës, i punës si gazetar. Sepse unë jam gazetar i lirë. Përveç një të share, nuk më thanë asnjë fjalë më tepër”, vijoi më tej Dushi.
Lidhur me një video-denoncim për një rrjet marketesh që pretendohet se shisnin produkte të skaduara, Dushi tha se video nuk kishte emra dhe nuk kishte pse të ishte ajo shkak i dhunës.
Ai shtoi gjithashtu se video-denoncimin e plotë do ta publikonte, pasi të përfundonte procedurat me Policinë.
“Ditën e sotme kam publikuar një video ku thuhej se një rrjet marketesh ka ushqime të skaduara. Ajo video nuk ka asnjë emër, nuk ka asgjë. Nëse personit në fjalë i ka djegur duke qenë i vetëdijshëm për çfarë tregton... Pasi të kryej gjithë procedurat me Policinë, do ta postoj atë video, sepse bëhet fjalë për një rrjet marketesh që helmon popullin shkodran”, shtoi Dushi.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Policia, e cila ka njoftuar se po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në dhunimin e gazetarit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
"Shkodër / Informacion paraprak- Në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi E. D., gazetar, i cili ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa shtetas, në lagjen “Skënderbeg”, përpara supermarketit “Xhedis”. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave, shtetasit P. Gj., ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt dhe shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë Shkodër. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj", thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas incidentit, gazetari është shprehur se do ta ndjekë çështjen në rrugë institucionale.
Aktualisht, Dushi nuk rezulton të jetë i punësuar në media, por prej vitesh jeton ne Suedi dhe angazhohet si freelancer me denoncime ne rrjetet sociale.
Vite me parë ka qënë gazetar në emisionin investigativ “Fiks Fare” deri në vitin 2010. Para se të largohej nga Shqipëria, atij i vendosën një sasi tritoli duke shkaktuar dëme materiale në banesën e tij.
Komente










