Dhunohet në mesnatë kandidati i PS-së për bashkinë e Kolonjës! Isai goditet nga simpatizanti i koalicionit Berisha-Meta! Arrestohet agresori (EMRI)

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Kolonjës, Erion Isai është goditur mesnatën e mbrëmshme në fshatin Qinam. Mësohet se Isai ka qenë duke qarkulluar me mjetin e tij, kur është sulmuar fizikisht nga një simpatizant i koalicionit Berisha-Meta.

Ai është ndaluar në rrugë nga kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Ethem Lumani i cili së bashku me disa simpatizantë të opozitës i kanë bllokuar rrugën dhe e kanë kërcënuar. Njëri prej simpatizantëve, konkretisht, Esmerald Kacolli që kishte bllokuar rrugën, i është afruar Isait dhe e ka goditur me grusht në fytyrë. 

Për ngjarjen, Isai ka bërë denoncim ditën e sotme, dhe si pasojë është arrestuar agresori Esmerald Kacolli. Ndërsa është vënë nën hetim Xhemal Kalo nën akuzën e pengimit të qarkullimit të mjeteve.  Burime nga policia e Kolonjës konfirmojnë se Isai ka dëme mbi hundë. Ndërkohë nga ana tjetër, edhe Ethem Lumani ka bërë një denoncim në polici, me pretendimin se Erion Isai dhe stafi i tij po kryenin fushatë elektorale në këtë zonë edhe në ditën e heshtjes zgjedhore. 

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 33 vjeç, për veprën penale "Goditja për shkak të detyrës", si dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit", për shtetasin Xh. K., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Qinam, Kolonjë. Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor "Korçë-Ersekë", në afërsi të fshatit Qinam, shtetasi Xh. K., duke drejtuar automjetin tip "Ford", i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, shtetasi E. I. (njëkohësisht dhe kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore) dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në konflikt është përfshirë edhe shtetasi E. K., i cili e ka goditur me grusht në fytyrë, kryetarin e bashkisë Kolonjë. Të gjitha veprimet procedurale për këtë rast janë kryer në drejtimin e Prokurorisë.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme", ka njoftuar policia. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:16
U godit nga simpatizanti i Berishës, Erion Isai: Nervoziteti tregon panik, më ndaluan makinën dhe më goditën me grusht! Isha duke pirë kafe me një mik

Kandidati i PS-së për bashkinë e Kalonjës, Erion Isai ka reaguar pasi u godit nga simpatizanti i koalicionit Berisha-Meta. Në një deklaratë për mediat, Isai tha se ky nervozitet tregon panik. Ai shpreh se i bllokuan rrugën teksa ka qenë duke lëvizur me makinë dhe arriti të identifikojë vetëm anëtarin e KZAZ të “BF”-së.

Pretendimeve të kandidatit të koalicionit Berisha-Meta se ka qenë duke bërë fushatë, Isai iu përgjigjet se ishte duke pirë kafe me një mik.

“Veprime që nuk i kanë hije gjithë Shqipërisë jo vetëm Kolonjës. Më vjen keq për të gjithë incidentin e  ndodhur dhe gjeja më e keqe është se kur të dalë në google Kolonja do të përmendet kjo. Nuk dua të viktimizohem por gara ka qenë shumë qytetarë. Nervoziteti tregon panik. Ishte një ngjarje që ndodhur mes të rrugës së bllokuar me makina, personi që arrita të identifikoj është anëtar i KZAZ të “BF”-së. Unë po konsumoja një kafe e kam këtë të drejtë, isha me një mikun tim aktor në makinë dhe safi im tregoi qytetari.”- tha Isai.

Ora 09:53
Dhunimi i Erion Isait, kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Kolonjën: Ndërhyra vetëm për t’i ndarë, policia nuk reagoi në kohë

 

Kandidati i Koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë e Kolonjës, Ethem Lumani ka reaguar pas dhunimit të kandidatit të PS-së, Erion Isai. Në një deklaratë për mediat, Lumani ka thënë se e kishin njoftuar që Isai me një grup personash që shoqërohej kanë qenë në fshatin Qafëzez duke bërë fushatë ditën e djeshme ndonëse ka qenë heshtje zgjedhore. Ai thotë se ka ndërhyrë vetëm për të zbutur gjakrat dhe për t’i ndarë, por nuk ka ndërhyrë në sherr.

“Kam bërë një fushatë modeste pa asnjë lloj problemi. Dje ishte heshtje elektorale. Dje në mesnatë Isai ka qenë në fushatë bashkë me kryetarin e PS-së dhe një grup shoqëruesish në fshatin Qafëzez. Kryetari i qendrës së votimit më njoftoi që kishte shkuar Isai aty bashkë me kryetarin e PS-së. Menjëherë kam marrë në telefon shefin e komisariatit, meqë sot është heshtje zgjedhore merrni masa të mos ndodhë ndonjë incident. Me të marrë këtë informacion, djemtë e fshatit e kanë ndaluar Isain në fshatin Qinam. Kam tentuar të zbus gjakrat pasi incidenti mund të ishte më i rënde. Kanë dashur të më godasin si kryetari i PS-së, ashtu edhe shoqëruesit e Isait. Unë jam babai juaj, jam kandidat, do ta zgjidhim këtë situatë, iu thashë. Më pas ka ardhur policia dhe kanë tentuar edhe në prezencë të tyre të më godasin. Iu thashë që çështjen do ta zgjidhim në Komisariat. Unë skam pasur asnjë lloj sherri. Vendosa të shkoj vetë aty se i thashë shefit të policisë shko përpara se do të vij unë pas. Pyesni shefin nëse nuk më besoni. Unë vajta më përpara dhe i kam ndarë unë ata që po bënin sherrin nuk i ka ndaluar policia. Unë habitem çfarë shteti është ky, çfarë policie është kjo”, tha ai.

Ora 08:13
Goditi me grusht në fytyrë kandidatin e PS, Erion Isai, arrestohet simpatizanti i koalicionit Berisha-Meta! Personi tjetër  në hetim në gjendje të lirë

Arrestohet agresori që goditi kandidatin e PS për Bashkinë së Kolonjës. Mësohet se Policia ka arrestuar simpatizantin e koalicionit Berisha-Meta, Esmeraldo Kacolli, i cili goditi kandidatin socialist për këtë bashki. Ndërsa procedohet në gjendje të lirë Xhemal Kalo, i cili akuzohet për pengim i qarkullimit të mjeteve. Xhemal Kalo ka qenë me Esmeraldo Kacolli kur kanë ndaluar makinën e Erion Isait dhe Kacolli e goditi me grusht në fytyrë.

B.V/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja