SHKODËR- Pronari i portalit “Shkodra.news” Robert Staka është arrestuar për akuzën e fyerjes shpifjes dhe ndërhyrjes së padrejtë në jetën e të tjerëve, informoi sot policia e Shkodrës.
Sipas bluve 37 vjeçari Robert Staka menaxhonte llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, të cilat i keqpërdorte për të fyer dhe për të shpifur për shtetas të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publike.
Arrestimi i tij u krye pasi kanosi dhe ushtroi dhunë ndaj të atit. I moshuarii me datën 7 tetor ishte i pajisur nga gjykata me urdhër të menjëhershëm mbrojtje nga djali i tij. Babai i tij pretendon se është goditur nga i biri për shkak të mosmarrëveshjeve për problemet e pronësisë së shtëpisë ku banonin.
Në portalin.e tij "Shkodra.neës" Robert Staka kishte publikuar njoftimin per shitjen e shtëpisë, sipas tij per ta shndërruar në një qendër të portalit dhe "për të bërë drejtësi".
Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se Robert Staka, në një ambient të marrë me qira, menaxhonte nëpërmjet kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike, llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, në të cilat postonte fyerje dhe shpifje kundrejt shtetasve të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publike." informoi sot policia e Shkodrës.
Gjatë kontrollit në banesën e 37-vjeçarit, policia gjeti edhe një armë imituese 2 kompjuterë, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike.
Ky është rasti i parë i arrestimit të drejtuesit të një prej portaleve të shumta në Shqipëri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Kanosja", "Dhuna në familje", "Fyerja", "Shpifja", "Ndërhyrje të padrejta në jetën private", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive" dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës".