TIRANË- Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi ka dhunuar me grushte dy vajza në rrugën e Bogdaneve. Burime për Report Tv mësojnë se është prangosur Denis Telo, një i ri me probleme të shëndetit mendor, i arrestuar edhe më parë nga policia për dhunë ndaj kalimtarëve në rrugë.

Në pamjet e publikuara, duket 30-vjeçari duke rrahur brutalisht, goditur me grushte dhe kapur nga flakët, dy vajzat e re Albina Ruko, 26-vjeç dhe Mirela Ruko, 29-vjeç, të cilat banojnë në rrugën e Bogdanëve dhe po ecnin normalisht në rrugë. Megjithëse është kthyer në rrezik për kalimtarët, organet shtetërore ligjzbatuese nuk kanë marrë asnjë masë për rehabilitimin e të riut. Denis Telo u arrestua për veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje". 

Mirela Ruko dhe Albina Ruko, janë aktiviste të Organizatës Politike, ndërsa për të denoncuar dhunën ndaj vajzave dhe tolerancën shtetërore ndaj këtij fenomeni, aktivistët e Organizatës Politike, zhvilluan sot një protestë përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Për Report Tv, Albina Ruko u shpreh se ai i ka sulmuar nga hiçi, ndërsa fillimisht është përplasur me to në shpatull e pastaj i ka goditur me grushte.

'Nga hiçi domethënë. Kemi qenë duke ecur në rrugë. Asnjëlloj provokimi apo diçkaje që provokon. Thjesht ka ardhur nga hiç, na ka përplasur fillimisht në shpatull. Pastaj është kthyer, ka shajt dhe ka nisur me grushte.'- tha Albina.

Agresioni për Albina Rukon ishte shumë dramatik dhe plagët që ka marrë më së shumti në kokë janë të mëdha.

'Vetë nuk do e kisha përballuar si sulm, pasi goditjet kanë qenë nga koka dhe jo nga trupi.’- tha e reja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:57
‘Po ecnim në rrugë’, flet për Report Tv një nga vajzat e dhunuara nga 30-vjeçari në Tiranë: U përplas fillimisht në shpatull dhe pataj na goditi me grushte

Albina Ruka, një nga vajzat e dhunuara në rrugën e Bogdanëve në Tiranë, nga Denis Telo, ka rrëfyer për gazetaren e Report Tv Ledina Jakimi momentet e tmerrit. E reja tha se ai i ka sulmuar nga hiçi, ndërsa fillimisht është përplasur me to në shpatull e pastaj i ka goditur me grushte. Ajo u shpreh se është faji i institucioneve që nuk kanë marrë asnjë masë, pavarësisht se ndaj tij janë kryer 9 kallëzime.

‘Në fakt, sa kishim dalë nga shtëpia, në drejtim të tregut të fruta-perimeve që kemi në lagje. Sa kemi kaluar rrugën ka nisur sulmi. Nga hiçi domethënë. Kemi qenë duke ecur në rrugë. Asnjëlloj provokimi apo diçkaje që provokon. Thjesht ka ardhur nga hiç, na ka përplasur fillimisht në shpatull. Pastaj është kthyer, ka shajt dhe ka nisur me grushte. Ky ka qenë sulmi i parë. Kanë reaguar njerëz, janë futur për të ndarë. Kemi marrë policinë. Nuk është përgjigjur në atë moment. Më pas jemi drejtuar stacionit police tek “Mine Peza” duke qenë se ishte stacioni më i afërt. Rrugës për tek stacioni, djali ka ardhur sërish dhe na ka gjuajtur edhe më fort. Nuk e di a na ndoqi nga mbrapa. Ishte situatë kaotike. Nuk e prisja. Djali bënte palestrën aty. Ka dal nga objekti i palestrës. Ka qenë shumë e frikshme, dramatike. 5 mesazhe kam pasur nga vajza që kanë pasur të njëjtin akt dhune. Jo më larg se para 3 ditësh ka qenë një rast i denoncuar edhe publikisht. Personalisht e kam dëgjuar si rast. Momenti ishe kaotik dhe nuk e kuptova si ndodhi. Ka qenë shani im që kam qenë bashkë me motrën. Vetë nuk do e kisha përballuar si sulm, pasi goditjet kanë qenë nga koka dhe jo nga trupi.’- tha Ruka.

Po familja juaj si e përjetoi kjo ngjarje?

Ruka: E kanë përjetuar shumë keq. Po duke qenë se kemi të bëjmë me një person me probleme mendore faji i takon institucioneve që nuk kanë marrë asnjë masë. Me gjithë denoncimet tona ka 9 kallëzime. Mesazhet që na kanë ardhur ne nënkupton se personi ka në policinë e shtetit që ja mbyll si raste, prandaj gjykata nuk ka hapur kurrë hetim. Kërkoj që personi të shtrohet në psikiatri. Nuk është inat personal. Kam dëmtime në kokë, hunë, sy. Dhimbjet janë ende prezente.

Ora 12:34
Protestë para drejtorisë së Policisë në Tiranë, flasin dy vajzat e goditura nga 30-vjeçari: Mbahen në qeli protestues, e lihen të lirë dhunues serial

Pas dhunës së ushtruar ndaj dy vajzave nga Denis Telo në rrugën e Bogdanëve në kryeqytet, dhjetëra qytetarë aktivistë të shoqërisë civile dhe të Organizatës Politike, zhvilluan një protestë simbolike para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kundër dhunës ndaj vajzave. Dy të vajzat e dhunuara, Mirela Ruko dhe Albina Ruko, u shprehën se në qeli mbahen protestues dhe lihen të lirë dhunues të tillë serial. Ato ngritën pyetjen se kush e ka liruar Denisin, ndërkohë që është një dhunues serial.

‘Ne duam hetim, kush e ka liruar Denisin pas 8 kallëzimeve, është dhunues serial. Ndalimi i tij në komisariat për 72 orë është i tmerrshëm. Ishte shokues dhunimi, s’më ka prekur njeri me dorë. Nuk e dimë pse ndodh kjo, e ka specifike ndaj vajzave. Policia e shtetit na ka dhunuar në protesta. Mban protestues në qeli dhe lë të lirë dhunues të tillë. Dhuna ka qenë e pajustifikuar institucionet janë përgjegjëse. Denisi është fenomen nuk është individ. Nuk ka asnjë lloj mase. Një person që të godet në   rrugës nuk mund të jetë në rregull. Kemi dhunë në pjesën e kokës. Kanë qenë dëmtime që ndodhin në pjesën e fytyrës. Është tendencioze ndaj vajzave.’- u shprehën ato.