LUSHNJE-SHÇBA ka pezulluar nga detyra policin B.SH. dhe ka vendosur ndaj tij detyrim paraqitje, pasi dhunoi pak ditë më parë një tregtar në vendin e quajtur “Rotondo e Savrës” në Lushnje.

“SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, më datë 28.10.2021 ka ekzekutuar vendimin penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë në Komisariatin e Policisë Lushnje, Inspektor B.SH. Hetimet po vijojnë”, thuhet në njoftimin e SHÇBA-së

Rasti u denoncua nga vetë shitës i fruta-perimeve, Amarildo Hoxha, 28 vjeç, i cili tha se ai u dhunua nga policia e Lushnjës vetëm se po filmonte me telefonin e tij nga mjeti. Por kjo është mohuar nga efektivët, të cilët u shprehën se ai nuk pranoi të identifikohej dhe i kishte kanosur.

Ngjarja ndodhi në 04:10 të mëngjesit të 24 tetorit ku postblloku i policisë në ‘ Rrethrrotullimin e Savrës’ në Lushnje, ishte vendosur për kapjen e autorëve që vranë në Fier Demir Backën, ndërsa 28 vjeçari ishte nisur nga Elbasani drejt Fierit dhe po filmonte rrugës, ku ka kapur edhe postbllokun dhe për këtë arsye është ndaluar.

Sipas dëshmisë së tregtarit Hoxha ai i ka paraqitur të gjitha dokumentet, por nuk kishte pranuar t’u jepte telefonin që kishte filmuar dhe për këtë arsye është dhunuar. Ndërsa në reagimin e policisë thuhet se 28-vjeçari ka refuzuar të japë dokumentet e identifikimit, duke fyer dhe kanosur për jetën efektivët e Policisë.  

Hetimet për rastin vijojnë ende, ndërsa efektivi B.SH është pezulluar nga detyra.

Tregtari Amarildo Hoxha