Policia e Dibrës ka arrestuar 1 person dhe janë shpallur në kërkim edhe 3 të tjerë si të dyshuar në lidhje me dhunën e ushtruar një ditë më parë ndaj punonjësve të Hec-it në Valikardhë.
Ndërkohë lidhur më këtë ngjarje janë shoqëruar edhe 8 persona të tjerë, të cilët sipas policisë janë në dijeni dhe mund të ndihmojnë në zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.Në pranga të policisë Gëzim Liçi, 44 vjeç, banues në Bulqizë.Ky person sipas policisë dyshohet se ka dhunuar shtetasit G.B dhe I.R.
Ndërkohë të shpallurit në kërkim janë B.L, A.L dhe R.S, sakaq në vendin e ngjarjes ku u dhunuan 2 punonjësit e Hec-it janë gjetur në cilësinë e provës materiale gëzhoja dhe janë konstatuar dhe thyerje xhamash pranë Hec-it.
Të dhunuarit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore pasi morën ndihmën mjekësore
Policia vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që çuan në dhunimin e punonjësve të firmës në Valikardhë.
Njoftimi i plotë i shpërndarë për mediat nga Policia e Dibrës:
Bulqizë
Policia zbardh ngjarjen e ndodhur një ditë më parë ku nga persona të pa identifikuar u dhunuan dy shtetas, punonjës në një firmë Hec-i.
Pas një pune të mirorganizuar dhe intensive u bë e mundur identifikimi i aurorëve të dyshuar të cilët ushtruan dhunë ndaj dy shtetasve
Arrestohet në flagrancë nga Policia një shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë
Shoqërohen në Komisariatin e Policisë 8 shtetas të tjerë
Ngjarje e ndodhur :
Rreth orës 17.00 datë 10.10.2017 salla operative e Komisariatit të Policisë Bulqizë është njoftuar nga spitali i Bulqizës se kanë ardhur për të marë ndihmë mjekësore dy shtetas.
Menjëherë ka shkuar grupi hetimor në ambjentet e spitalit ku kanë konstatuar duke marrë ndihmë mjekësore shtetasit G.B, 50 vjeç, banues në Elbasan, dhe shtetasin I.R, 45 vjeç, banues në Durrës, punonjës në një firmë Hec-i.
Dy shtetasit e lartëpërmendur kanë deklaruar se sëbashku me tre punonjës të tjerë në vendin e quajtur 'Liqeni i Bardhë', Valikardhë-Bulqizë, janë dhunuar me sende të forta nga persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar dhe me armë zjarri në ajër.
Dy shtetasit e mësipërm janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa tre të tjerët nuk kanë marrë asnjë dëmtim.
Menjëherë pas deklarimeve të marra Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje, duke bërë të mundur identifikimin e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale nga specialistët e policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit :
Gëzim Liçi, 44 vjeç, banues në Bulqizë. Ky shtetas dyshohet se ka dhunuar shtetasit G.B dhe I.R.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B.L, A.L, R.S, (për shkak të hetimeve nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.
Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë model 56.
Si dhe janë konstatuar dëmtime të pjeshme në xhamat e dy mjeteve.
Vijojnë hetimet për zbardhje e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për kapjen e personave që janë shpallur në kërkim.
Materialet proceduriale do ti referohen Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.
Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com












