Të enjten sytë e gjithë futbollit shqiptar do jenë në ‘Air Albania’, pasi java e 15 rezervon derbin Partizani-Tirana. Në orën 19:45 të kuqtë do synojnë jo vetëm të mposhtin Tiranën kryesuese, por edhe të provojnë tentativën e fundit për të luftuar për kampionat.
“Tirana ka bërë më mirë se Partizani përsa i përket pikëve. Në një derbi gjithsesi nuk ka se kush skuadër vjen më e fortë, por kush bën më mirë interpretimin. Duhet të jemi mirë edhe nga ana emocionale që mos të kalojmë në proces frenimi,”-tha Ilir Daja, trajner i Partizanit.
“Tifozët tanë do jenë më të shumtë në numër dhe shpresoj të na përkrahin,”-deklaroi Egzon Belica, futbollist i Partizanit.
“Është një ndeshje në fundvit dhe shpresoj t’i bëjmë një dhuratë tifozëve dhe vetes tonë për të shkuar në pushime me një tjetër moral dhe situatë,”-u shpreh Orges Shehi, trajner i Tiranës
Derbi i fazës së parë u fitua nga Tirana me shifrat 1-0, ndërsa në total janë zhvilluar 162 sfida mes kryeqytetasve. Tirana ka fituar 43 prej tyre, Partizani 68, ndërsa 51 janë mbyllur në barazim.
Po të enjten do luhen edhe dy sfida të tjera si Teuta-Egnatia, por edhe Vllaznia-Kukësi.