Plotësimi i nevojave për gjak në vendin tonë vijon të mbetet një sfidë për sistemin shëndetësor dhe shoqërinë. Presidenti i Kryqit të Kuq, Ylli Alushi, shprehet se në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut sigurohet vetëm gjysma e sasisë së nevojshme për pacientët në të gjithë vendin.
“Janë shtresa të ndryshme të shoqërisë kryesisht talasemikët të cilët kanë nevojë për gjatë në çdo tre javë. Përveç këtyre janë edhe njerëzit me nevoja për të kryer operacione, njerëzit që pësojnë aksidente. Tani për t'ju dhënë një shifër në vendin tonë duhet rreth 60.000 qeska gjaku. Ne, pra kryqi i kuq shqiptar në bashkëpunim me bankën e gjakut nuk arrijnë t'i realizojnë. Realizohet afërsisht e gjysma e tyre”, tha Ylli Alushi.
Përveç sëmundjeve kronike, nevoja për gjak shtohet ndjeshëm gjatë muajve të verës, kur rritet qarkullimi i automjeteve dhe si pasojë edhe numri i aksidenteve rrugore.
“Nëse do të flasim për periudhën e verës, meqenëse qarkullimi të themi i automjeteve njëherë është më i madh, numri i aksidenteve është më i madh edhe nevoja për gjak në periudhë është më e madhe. Megjithatë nevoja për gjak thashë është gjithëvjetore”, tha Ylli Alushi.
Në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, nën moton “Një pikë humanizëm”, Kryqi i Kuq Shqiptar ka organizuar aktivitete dhe fushata sensibilizuese për të nxitur sa më shumë qytetarë të dhurojnë gjak dhe të kontribuojnë në shpëtimin e jetëve.
Komente









