Diabeti, Dr. Stefano Turchetto: Ta
parandalojmë para se ta kurojmë

Diabeti, Dr. Stefano Turchetto: Ta <br />parandalojmë para se ta kurojmë
TIRANE - Qytetarët me peshë trupore mbi normalen, që kanë pjesëtarë në familje që vuajnë nga diabeti apo mundësi trashëgimie të një sëmundjeje të tillë, që bëjnë një jetë pasive dhe vuajnë nga hipertensioni më i lartë se 90 mmHg (minimali siç e quajmë rëndom në jetën e përditshme) dhe mbi 140 mmHg (treguesi maksimal), duhet të kryejnë patjetër analizat e glicemisë një herë në 3 vjet për të parandaluar në kohë diabetin, apo sëmundjen e sheqerit, siç e quajmë shpesh.

Kështu thotë Dr. Stefano Turchetto, i specializuar për Patologji të Brendshme pranë Spitalit “Salus” në Tiranë, institucion që ka filluar së fundmi një fushatë ndërgjegjësimi të popullsisë për parandalimin e diabetit.

Cili është vështrimi i parë personal i juaji në lidhje me këtë sëmundje në Shqipëri?

“Kam patur kohë të mjaftueshme të vëzhgoj nëpër rrugë njerëzit dhe raportin që kanë ata me shëndetin, i cili duhet të them se nuk është nga më optimalët. Kam parë shumë njerëz në moshë të re, që janë mbipeshë apo obesë, konsumatorë të rregullt të duhanit, dhe klientë kohëgjatë të kafeneve. Panorama e përditshme më jep sinjalet e një jete sedentare jo të rregullt, pasojat e së cilës do të ndjehen pas disa vitesh, kur me shumë probabilitet do të ketë shfaqje në masë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe sidomos të diabetit.”.

Pse e thoni këtë?
“Sepse sëmundja e diabetit mund të rrijë e fshehur për gati 10 vjet, dhe simptomat e saj shfaqen pas kësaj periudhe, kur njerëzit fillojnë t’i vuajnë shqetësimet e organizmit që kjo lloj patologjie shkakton. Vetëm atëherë i drejtohen mjekut specialist. Me sa kam kuptuar mentalitetin e shoqërisë shqiptare mbi shëndetin dhe vëmendjen apo kujdesin e individit ndaj shëndetit personal - që fatkeqësisht duhet ta vlerësoj si të ulët - diagnostikimet qoftë për diabetin, qoftë për sëmundjet e tjera, bëhen në mënyrë krejt aksidentale, dhe kjo nuk jep shumë shpresa për t’i kuruar në kohë sëmundjet. Sidomos diabetin”.

Çfarë do të sugjeronit ju?
“Ka disa faktorë të rëndësishëm që duhet të shtyjnë çdo qytetar që të realizojë një kontroll të glicemisë, nëse ndërgjegjshëm e di se është mbi peshë, veçanërisht nëse masën dhjamore e ka të përqendruar te abdominalet, nëse ka probabilitet për ta trashëguar diabetin, jetën nuk e ka aktive dhe vuan nga tensioni i lartë i gjakut. Këto janë kushte të mjaftueshme për të qenë të ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje dhe për ta parandaluar në kohë atë. Ky është shqetësimi im dhe do të ishte dhe sugjerimi im. Më mirë të parandalosh sesa të kurosh. Flitet për diabetin, por ndërgjegjësimi i popullsisë është shumë i ulët në lidhje me këtë sëmundje. Njerëzit duhet ta vlerësojnë më shumë shëndetin kur e kanë”.

A ka ndonjë shifër që mund ta përmendim në këtë kontekst?
“Raportet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që datojnë pas vitit 2000 japin shifrën diku tek 86,000 të diagnostikuar me sëmundjen e diabetit, nga të cilët vetëm në Tiranë jetojnë 50,000. Por siç e përmenda, nëse realizojmë një “screening” të popullsisë për të dhënë një shifër të sotme, aktuale, numri është shumë më i lartë duke patur parasysh fshehjen në organizëm të kësaj lloj patologjie për një dekadë”.

A ka pacientë që vijnë në Salus thjesht për kontroll të glicemisë?
“Përgjithësisht jo. Pacientët që paraqiten në spital, janë pacientë me glicemi 250 (mg/dl) duke patur parasysh se niveli normal i saj duhet të jetë 126 (mg/dl). Janë përgjithësisht konsumatorë të duhanit, treguesin e kolesterolit e kanë diku te 250 (mg/dl) dhe presionin arterial 160 (mmHg). Ky është pacienti tipik diabetik kur paraqitet te Salus. Kjo është fazë e përparuar e diabetit, ndaj këshillohet dhe e nënvizojmë rëndësinë e kontrollit një herë në 3 vjet të glicemisë nëse një person është i ekspozuar ndaj faktorëve që përmenda më lart”.

Cili mund të ishte kontributi juaj për të parandaluar apo për t’i ndërgjegjësuar qytetarët në lidhje me këtë sëmundje?

“Të jetosh shëndetshëm nuk është slogan i kohëve moderne, por është esenciale për jetën te secilit prej nesh. Të hash në mënyrë të moderuar, të kryesh aktivitet fizik, të bësh ecje të gjata dhe të përditshme, është zanafilla e një jete të shëndetshme dhe pa probleme. Këto do të ishin këshillat që i jep çdo mjek. Ndërsa, përsa i përket patologjisë së diabetit, Salus do të realizojë një fushatë analizash për të diagnostikuar të sëmurët e mundshëm diabetikë. Këto analiza do të kryhen falas nga shërbimi ynë ambulator në mënyrë periodike. E kemi menduar gjatë këtë projekt edhe pse do të na marrë shumë energji, por më e rëndësishmja është se do të krijojmë një mundësi konkrete për zbulimin në kohë të kësaj patologjie”.

A mund të na jepni më shumë detaje në lidhje me këtë fushatë analizash?

“Fushata shpresoj do të fillojë shumë shpejt. Por qytetarët do të lajmërohen për çdo detaj të kësaj fushate nëpërmjet shtypit. Shërbimi ynë ambulator do të jetë i hapur për personat mbi 45 vjeç që mendojnë se kanë simptomat e diabetit: lodhje, etje të tejskajshme, uri të përhershme, humbje peshe, mungesë përqendrimi, urinim të shpeshtë apo dhembje stomaku. Sigurisht, janë të mirëpritur për analizë edhe individët e ekspozuar ndaj diabetit që vuajnë nga mbipesha, tensioni i lartë dhe janë trashëgimtarë të mundshëm të sëmundjes. Nuk do të kenë asnjë detyrim financiar. Detyrimi i vetëm do të jetë ndaj vetes së tyre dhe vëmendjes ndaj një trupi të shëndetshëm dhe pa probleme”.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi