Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak takon Vuçiçin në Beograd: Bisedë serioze dhe e përgjegjshme! Zgjidhje urgjente kërkojnë energjia dhe targat

Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak takon Vuçiçin në Beograd: Bisedë serioze dhe e përgjegjshme! Zgjidhje urgjente kërkojnë energjia dhe targat

Miroslav Lajçak dhe Aleksandër Vuçiç

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar "diskutim të hapur dhe serioz" për normalizimin e raporteve. Përmes një postimi në Twitter, ai tha se lart në agjendë ishin edhe çështja e targave të makinave dhe ajo për energji.

“Sot në Beograd vazhdon diskutimin tim të hapur dhe serioz me presidentin Vuçiç, për mënyrën se si të ecet përpara sa i përket normalizimit të raporteve. Energjia dhe targat e makinave ishin çështje lart në agjendën tonë, teksa zgjidhjet për këto kërkohet që të gjenden në mënyrë urgjente. Po ashtu, kam biseduar për çështjet aktuale edhe me [shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe] Petar Petkoviq”, shkroi Lajçak në Twitter.

Ndërkaq, Vuçiç më herët gjatë 17 shtatorit ka deklaruar se me Lajçakun ka biseduar lidhur me me çështjet e hapura në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Pas takimit me Lajçakun, Vuçiç ka përsëritur se Serbia insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Një bisedë serioze dhe e përgjegjshme me Mirosllav Lajçak mbi çështjet e hapura në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne do të vazhdojmë të luftojmë që ta ruajmë shtetin dhe popullin tonë, duke insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe në respektimin e ligjit ndërkombëtar”, ka shkruar Vuçiç në një postim në Instagram.

Lajçak vizitoi Beogradin katër ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas atij takimi është thënë se përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt.Lajçak u ka thënë gazetarëve në Prishtinë se me kryeministrin Kurti kanë diskutuar disa tema, përfshirë atë të riregjistrimit të makinave me targa serbe në RKS (Republika e Kosovës).

Ai ka përmendur se afati për riregjistrim skadon më 31 tetor dhe se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të dijë se cilat janë planet në këtë drejtim. Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës. Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve u shty për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë. Ndërkohë u arrit marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje. Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:55
Takimi me Vuçiç në Beograd, Lajçak: Folëm për energjinë dhe targat e makinave, çështje që kërkojnë zgjidhje urgjente

1666033288_lajcakvucic.JPG

I dërguari i posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka treguar se gjatë bisedës me Aleksandër Vuçiç, kishin në fokus cështjen e energjisë dhe të targave.

"Në Beograd sot, unë zhvillova bisedë të hapur dhe diskutim serioz me presidentin Vuçiç për normalizimin e marrëdhënieve. Energjia dhe targat ishin në fokus të bisedës tonë si çështje që kërkojnë zgjidhje urgjente. Për të njëjta çështje fola edhe me Petar Petkovic", shkroi Lajçak në Twitter.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione

Akt sabotazhi në Baltik? BE kërcënon Rusinë me sanksione