Dialogu Kosovë-Serbi, SHBA: Kurti dhe Vuçiç të jenë konstruktivë në lidhje me propozimin evropian

Dialogu Kosovë-Serbi, SHBA: Kurti dhe Vuçiç të jenë konstruktivë në lidhje me propozimin evropian

Shtetet e Bashkuara presin një qasje konstruktive të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të shfrytëzojnë bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të synojnë në fund njohjen e ndërsjellë. Përparimi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e DASH-it, në të cilën cilësohet inkurajuese që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar mbi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Të dy kanë pohuar se e pranojnë në parim propozimin që nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se pret që të dy udhëheqësit zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin.

“Plani në vetvete nuk do të negociohet. Palët janë konsultuar pasi projekti i parë është ndarë me to dhe nuk shohim arsye as gjasa për negociata. Ne besojmë vërtetë që është plani që trajton çështjen, respekton vijat e kuqe të palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm”, tha zoti Lajçak në një intervistë me Radiotelevizionin e Kosovës.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian tha të premten se në bisedimet e së hënës palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën si dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtari tha se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që është pika më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia.

Brukseli dhe Washingtoni kanë shtuar trysninë për një marrëveshje Kosovë – Serbi, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb. Diplomatët thonë se duan të shmangin përsëritjen e krizave dhe se palët do të përballen me pasoja nëse refuzojnë propozimin evropian./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë