Drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç, thotë se shpreson që në muajin janar të krijohet Komisioni i Përbashkët për personat e zhdukur. Deklarata e Petkoviç vjen pas takimit mes kryenegociatorëve në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai theksoi se gjatë një takimi trepalësh, ai e pyeti disa herë përfaqësuesin e Prishtinës, Besnik Beslimi, për formimin e asociacionit, por nuk ka marrë një përgjigje konkrete.
Petkoviç, duke folur për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, tha se bashkëpunimi ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për gjetjen e personave të zhdukur do të vazhdojë vetëm falë përpjekjeve të Beogradit. Ai shpreson që në fillim të janarit të krijohet Komisioni i Përbashkët.
"Për një vit e gjysmë, ne miratuam një Deklaratë të Nivelit të Lartë për të Zhdukurit dhe pas kësaj filluam të punojmë për miratimin e rregullave të punës dhe krijimin e komisionit që do të mbështesë grupin e punës, i cili mbetet mekanizmi kryesor për gjetjen e të zhdukurve, nën mbikëqyrjen e dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara dhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq," tha Petkoviç.
Ai theksoi se grupi i punës ka gjetur dhe zbuluar deri tani më shumë se 1,800 persona të zhdukur dhe se është e rëndësishme që të gjenden edhe 1,608 të tjerë, përfshirë rreth 570 serbë. Petkoviç theksoi se çështja e gjetjes së të zhdukurve është para së gjithash një çështje humanitare dhe jo politike.
"Prishtina, që dëshiron të monopolizojë këtë çështje, gjithmonë ka shmangur diskutimet konkrete për të zhdukurit. Ata nuk duan të hapin arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk duan të fillojnë gërmimet në nëntë lokacione të tjera për të cilat Beogradi ka kërkuar kohë më parë," shpjegoi ai.
Në lidhje me heshtjen e Prishtinës për çështjen e Bashkësisë së Komunave Serbe, Petkoviç tha se ka bërë pesë pyetje për këtë temë gjatë takimeve me Lajçakun, por përfaqësuesi i Prishtinës, Besnik Beslimi, ka heshtur. Ai e konsideron këtë si një dëshmi të qartë se Prishtina nuk dëshiron të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe dhe se ky proces është thelbësor për serbët në Kosovë.
Petkoviç gjithashtu shprehu shqetësim për fundin e mandatit të Miroslav Lajçakut në janar, duke sugjeruar që të emërohet një dërguar i ri i posaçëm për dialogun, në mënyrë që të vazhdohet procesi i dialogut. Ai theksoi se problemi kryesor është Prishtina, e cila refuzon të bisedojë dhe vazhdon të shkelë marrëveshjet e Brukselit me veprime të njëanshme dhe të dhunshme.
Pas takimit të së martës, 17 dhjetor, në Bruksel, i dërguari i Posacëm i BE për dialogun Kosovë Serbi Lajcak, përsëriti thirrjen që Kosova të formojë Asocacionin e Komunave serbe ndërsa Serbia të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës. BE kërkon nga palët që të ulin tensionet ndërsa pa normalizimin e marrëdhënieve nuk ka integrim në BE thotë Lajcak.