Dialogu me Serbinë nuk do të fillojë para muajit qershor dhe jo pa konsultime me opozitën vendase, ka qenë pikërisht kjo deklaratë e kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit në Bruksel, e cila ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur refuzimin që ka bërë Kurti, duke e shtyrë takimin me Vuçiç në qershor.
“Refuzimi i Kryeministrit Kurti të takimit të 11 majit është i drejtë. Ai takim ishte caktuar nga Borell e Vuçiç pa konsultim me palën kosovare. Takimet e formatit të tillë, duhet paraprakisht të dakordohen me institucionet e Kosovës, “ tha Haradinaj në postimin e tij.
Por një deklaratë me tone të ngritura ka ardhur nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili kundërshton hapat që ka ndërmarrë Kurti në drejtim të dialogut me Serbinë.
‘Me konfirmimin e tij për rinisje të dialogut me Serbinë, Albin Kurti sot e përmbysi gjithë trashëgiminë e tij politike kundër negociatave Kosovë-Serbi. Kurti rinisi dialogun në Bruksel pa vendosur reciprocitet me Serbinë dhe pa një platformë apo strategji. Nga Jo Negociata - Vetëvendosje, Kurti ra dakord në Bruksel që të hyjë në Negociata për Autonomi për serbët në Kosovë dhe të zhbëjë planin Ahtisari që mundësoi pavarësinë e Republikës së Kosovës,” tha Hoxhaj.
Për shoqërinë civile në Kosovë, e cila prej kohësh pret të shohë një bashkëpunim dhe marrëdhënie të re pozitë opozitë, bashkërendimi është i domosdoshëm, por ka shumë pak gjasa të ndodhë.