Dibër- Një 31-vjeçar nga fshati Rrenxë i Dibrës ndërroi jetë një ditë më parë  pasi dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike teksa po punonte vënien e një linje interneti.

Në lidhje me këtë ngjarje, Policia njoftoi sot se ka nisur hetimi për administratorin e kompanisë së internetit 'Lois Net', ku ishte i punësuar Andi Sulejmani.

Olsi Kurtaga do të hetohet për veprën ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.

“Pas veprimeve hetimore të kryera në lidhje me këtë rast, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për administratorin e kompanisë së internetit në të cilën ishte i punësuar 31-vjeçari, shtetasin Olsi Kurtaga, 43 vjeç, banues në Peshkopi”, informoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.