Një efektiv policie është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Dibër, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë më një të re. Hetimet nisën pas kallëzimit të qytetares me inicialet L. H., e cila ka deklaruar se punonjësi i policisë e ka detyruar nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit.

Në pranga ka rënë punonjësi i policisë Jetmir Uta, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale ushtronte detyrën “Ndihmës/Specialist i Patrullës së Përgjithshme”.  

Punonjësi i policisë ishte larguar drejt Kosovës, por sot është bërë e mundur ndalimi i tij në momentin e rikthimit në territorin shqiptar. Ai e ka kanosur gruan që të mos bënte kallëzim në polici. 

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës - Dibër) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor J.U., me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Nd/Specialist i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Dibër dhe aktualisht me detyrë Nd/Specialist në Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar në nenet 102 dhe 248 të Kodit Penal.

Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 17.11.2025, ku pas kallëzimit të shtetases L.H., e cila ka ngritur pretendimin se punonjësi i policisë nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, AMP ka dërguar materialet proceduriale shtesë edhe për shtetasen M.U., e dyshuar për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar” parashikuar në nenin 311 të Kodit Penal dhe shtetasin A.K., i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit në krim” parashikuar në nenin 302 të Kodit Penal.

Pas hetimeve me metoda speciale hetimi, u konstatua se punonjësi i policisë gjatë kësaj kohe ishte larguar në Republikën e Kosovës dhe ditën e sotme u bë i mundur ndalimi i tij nga agjentët e AMP në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë", njoftoi AMP. 

Oficeri i policisë dyshohet për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Shpërdorim i detyrës”.