Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në Dibër, ku një 31-vjeçar humbi jetën në ujërat e lumit Setë.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se viktima është identifikuar si Ervis Kaloshi, banues në fshatin Sinë e Poshtme Dibër.

Ervis Kaloshi ishte edhe mësues dhe vitet e fundit ai punonte në shkollën 9-vjeçare “Grykë-Nokë”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, teksa i riu ndodhej duke peshkuar, i shoqëruar edhe nga persona të tjerë. Ka dyshime se gjatë peshkimit Kaloshi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë, ka humbur jetën.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta në një moshë kaq të re ka shkaktuar dhimbje të thellë te kolegët, nxënësit, familjarët dhe të gjithë ata që e kanë njohur.

Autoritetet kanë nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në humbjen e jetës së të riut.