DIBER- Banesa e shtetasit I.H., në Grykë-Nokë është grabitur nga 4 persona të armatosur, por që nga reagimi i shpejtë i Policisë së Dibrës është bërë i mundur arrestimi i 3 prej tyre, ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim.
Blutë e Dibrës sqarojnë se në pranga janë vënë M.M, 26 vjeç, D.M, 26 vjeç dhe M.K, 25 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim F.H, 20 vjeç, banues në Kukës.
Autorët në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga policia kanë braktisur mjetin e tyre duke u fshehur në malin e fshatit Shumbat.
Pas disa orë ndjekje dhe mbajtje nën rrethim nga policia, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasve M.M, 26 vjeç dhe D.M, 26 vjeç, banues në Kukës. Ndërsa 25-vjeçari me iniciale M.K. është ndaluar disa orë më pas në Bathore.
F.H, 20 vjeç, kanë mundur të largohen duke marrë me vete edhe shumën e parave të vjedhura. Policia e Dibrës thotë se vijon krehja e zonës për kapjen e personit tjetër të shpallur në kërkim dhe të gjetjes së armës që dyshohet se autorët e kanë hedhur porsa kanë parë që po ndiqeshin.