Dibër- I akuzuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit për "dhunim", 25-vjeçari i kërkuar kapet në Dibër dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimi në Kosovë.
Policia vendore konfirmoi arrestimin në Maqellarë të S.R., banues në Prizren, teksa ndaj të riut ka masë sigurie në mungesë “arrest me burg” nga Gjykata kosovare.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe mirëkoordinimit të punës, ndërmjet strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u bë e mundur kapja në Maqellarë dhe arrestimi, me qëllim ekstradimin në Kosovë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar S.R., 25 vjeç, banues në Prizren, Kosovë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas dosjes hetimore, rezulton se Gjykata Themelore e Prizrenit i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë "arrest në burg", për veprën penale “dhunimi".
“Interpol Tirana po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për ekstradimin e 25-vjeçarit”, tha policia vendore.
Kurse materialet e dosjes për procedurë i kaluan Prokurorisë së Dibrës.