DIBËR – Një 42-vjeçar është arrestuar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Skaneri” pasi tentoi që të kontrabandonte mallra nga Maqedonia e Veriut. Albert Capa u ndalua në pikën kufitare të Bllatës, pasi në automjetin tip “Opel” iu gjetën kuti me detergjentë dhe materiale për paketim të kontrabanduara dhe pa fatura blerjeje.
Në pranga u vu edhe doganieri Andon Lilo, 51-vjeç, pasi dyshohet se nëpërmjet korrupsionit ka lejuar kalimin e mallrave, ndërsa nën hetim u vu një tjetër. Ndaj Lilos rëndon akuza e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës. Doganieri tjetër akuzohet vetëm për shpërdorim detyre.
Ndërsa 42-vjeçari përballet me tre akuza “Korrupsioni me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallarave që janë kontrabandë” dhe “Fshehje e të ardhurave”. Policia ka sekuestruar mallrat, automjetin dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Njoftimi i plotë:
Dibër/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar "Skaneri".
U kap në flagrancë, gjatë transportimit të mallrave që kishte kontrabanduar nga RMV-ja, vihet në pranga 42-vjeçari.
Në pranga dhe 1 doganier i degës Bllatë, pasi dyshohet se nëpërmjet korrupsionit, ka lejuar kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Vihet në hetim 1 tjetër doganier i kësaj dege, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.
Sekuestrohen mallrat, automjeti me të cilin transportoheshin, si dhe shuma parash në valuta të ndryshme.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një rast të kontrabandimit nëpërmjet PKK Bllatë, të mallrave të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Skaneri”.
Në kuadër të operacionit:
-u vu në pranga shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në fshatin Maqellarë, për veprat penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike", “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja të ardhurave”;
-u vu në pranga shtetasi A. L., 51 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 50 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Në territorin e njësisë administrative Maqellarë, u ndalua automjeti tip “Opel” që drejtonte 42-vjeçari. Nga kontrolli në automjet u gjetën mallra (kuti me detergjentë dhe materiale për paketim) të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.
Nga hetimet e mëtejshme për këtë rast, dyshohet se 2 doganierët kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar 42-vjeçarin, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
.jpeg)
Paratë e sekuestruara
Komente









