Policia e Dibrës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti për motive pronësie. Sipas një njoftimi nga Drejtoria e Policisë në Dibër, ditën e djeshme në fshatin Hotesh ka ndodhur një konflikt për motive pronësie, i cili mund të përshkallëzohej deri në përdorim të armëve të zjarrit.
 
Të njëjtat burime pohuan se tre vëllezër në bashkëpunim me njëri-tjetrin në orët e mbrëmjes janë konfliktuar fizikisht për motive pronësie me shtetasin S. Xh. 74 vjeç, lindur e banues në fshatin Hotesh-Njësia Administrative-Luzni-Dibër, ku si pasojë e konfliktit fizik, shtetasi S.Xh, ka pësuar dëmtime të lehta fizike.
 
Pas konfliktit shtetasi i dëmtuar ka shkuar në banesë dhe ka marrë armën e gjahut të cilën e kishte me leje. Ndërhyrja në kohë e policisë ka bërë të mundur që shtetasit të dëmtuar t’i merrej dhe t’i bllokohej arma e gjahut qe ai e kishte me leje si dhe të parandalohej përshkallëzimi i konfliktit.

Më pas shtetasi i dëmtuar si pasojë e plagëve të lehta fizike të shkaktuara nga tre vëllezërit është dërguar në Spitalin e Peshkopisë për mjekim.
 
Në pranga ranë Baftjar Xhurxhiu, 42 vjeç, Urim Xhurxhi, 38 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim policor E. Xh, 35 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Hotesh. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com