Banorët e lagjes “Gjok Doçi”, ndër më të mëdhatë në qytetin e Peshkopisë janë njohur nga afër me platformën elektorale të kandidatit të së majtës Muharem Rama, ku ky i fundit iu ka premtuar atyre se menjëherë pas ardhjes së tij në krye të bashkisë do të rikonstruktojë fasadat e pallateve. 

Ai u prit me entuziazëm nga banorët ndërsa u ndal tek disa prej planeve të tij për zhvillimin urban të territorit të Bashkisë së Peshkopisë. 

Do të bëjmë rikonstruksionin e të gjitha fasadave të kësaj lagjeje. Do të bëjmë asfaltimin nga e para të të gjitha rrugëve të brendshme të qytetit të Peshkopisë në brendësi të lagjeve. Do të mund të vendosim ndriçimin e duhur dhe të krijojmë edhe mjediset e përshtatshme për fëmijët të cilët nuk kanë ku të luajnë. Do të krijojmë mjedise pushimi edhe për moshën e tretë që gjithashtu nuk e gjen sot një hapësirë”, u shpreh kandidati Rama. 

Vëmendje të veçantë, Rama tha se do ti kushtohet edhe pastrimit të qytetit dhe përpunimit të mbetjeve.

Programi elektoral i kandidatit Rama përfshin edhe zhvillimin e infrastrukturës së qytetit ku përveç përfundimit të Bulevardit qëndror të qytetit dhe unazës së vogël do të mund të bëhet më pas edhe lidhja me unazën e madhe dhe rikonstruksioni i rrugicave të brendshme në lagje.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)