Qytetarët e Dibrës janë ftuar të votojnë të dielën për Kryetarin e Bashkisë, i cili do të mbajë mandatin vetëm 1 vit. Dibra nuk ka gjetur qetësi gjatë viteve të fundit për shkak të skandaleve dhe dorëheqjeve. 

Dibra është konsideruar si bastion i Partisë Demokratike, por skema të ndryshme zgjedhore kanë ndikuar që kjo bashki të ketë përmbysje.

Kjo do të ndodhte fillimisht në zgjedhjet lokale të  2015-ës, ku me afro 500 vota më shumë arriti të fitonte kandidati i Partisë Socialiste, Shukri Xhelili. Nuk do ta mbante gjatë detyrën, pasi një skandal seksual në vitin 2016-të, do të sillte shkarkimin e tij nga detyra. Në zgjedhjet e parakohshme faktori “Çam”, do të mundësonte fitoren e kandidatit socialist përmes blerjes masive të votave. Muharrem Rama, kandidati socialist do të merrte 18603 vota, me një diferencë prej 4 232 me kandidatin e Partisë Demokratike.

Zgjedhjet lokale pa praninë e opozitës në vitin 2019-të do të fitoheshin nga Dionis Imeraj i Partisë Socialiste. Hoqi dorë nga posti për të futur në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit. I renditur i treti në listë, Imeraj nuk arriti të fitojë duke i humbur të dyja, bashkinë dhe parlamentin.

Situata në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25 prill 2021 do risillte Partinë Demokratike sërish dominuese në Dibër, kjo edhe falë zbehjes së faktorit çam, pas publikimit të përgjimeve të dosjes 184.

Por në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit 2022 kemi një situatë të re me kampin opozitar, që shkon i përçarë në votime. Janë afro 56, 000 qytetarë me të drejtë vote në territorin e Bashkisë së Dibrës, të cilët do të zgjedhin të dielën, ndërmjet socialistit Rrahim Spahiu, demokratit Luan Haka dhe Premtim Kryemadhit të 'Shtëpisë së Lirisë'.

1646310909_page.jpg

Premtim Kryemadhi, Luan Haka dhe Rahim Spahiu