Didi takon homologun holandez
"Bashkëpunim kundër krimit!"

Didi takon homologun holandez<br />
TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, paraditen e sotme zhvilloi një takim me përfaqësuesin më të lartë të Xhandarmërisë Mbretërore të Holandës, Gjeneral Lejtnant J.A.J Hans Leijtens, si dhe delegacionin që e shoqëronte. 

Në qendër të takimit të zhvilluar ishte forcimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Xhandarmërisë Mbretërore Holandeze, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit dhe menaxhimit të kufijve. Po ashtu dhe në drejtim të shkëmbimit të eksperiencave dhe të informacioneve për të qenë sa më efikas në goditjen e fenomeneve kriminale.

Gjatë këtij takimi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke shprehur kënaqësinë për vizitën e Leijtens, e cilësoi këtë vizitë si të një rëndësie të veçantë në kuadër të përpjekjeve që po bën Policia e Shtetit për ndërtimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të vendeve të rajonit dhe të vendeve të BE-së.

Në vijim Didi njohu Leijtens me të gjitha reformat, që janë ndërmarrë e po zhvillohen në Policinë e Shtetit si në aspektin organizativ, legjislativ dhe të zhvillimit profesional të burimeve njerëzore, si dhe me vizionin e organizatës për vitet në vijim, ku detyrat që shtrohen para policisë janë më madhore në kuadër të procesit të integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian.

“Zhvillimin e organizatës e kemi prezantuar edhe në strategjinë  afatgjatë të Policisë së Shtetit për vitet në vijim, ku janë përcaktuar dhe prioritetet strategjike siç janë: përmirësimi i klimës në drejtim të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim që të sundojë ligji, forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, forcimi i luftës kundër terrorizmit, ku në këtë kuadër është krijuar një strukturë e veçantë, e cila do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha agjencitë inteligjente brenda dhe jashtë vendit, menaxhimi i kufijve dhe kontrolli më i mirë i tyre me synim parandalimin e trafiqeve, policimi në komunitet, siguria rrugore, përmirësimi i logjistikës dhe teknologjisë, rritja e profesionalizimit dhe performancës së punonjësve të policisë, si dhe rekrutimi i punonjësve në moshë të re, më synim që mosha mesatare dhe arsimimi i tyre të jetë në proporcion të drejtë me moshën mesatare të popullsisë.” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Po ashtu Didi bëri dhe një panoramë të operacioneve më të suksesshme të Policisë së Shtetit në kuadër të luftës kundër drogës, siç janë operacioni i Lazaratit, ai i zhvilluar në Dukagjin si dhe masat e marra për parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore përmes kufirit të gjelbër, ku  vërehet një fenomen shqetësues në drejtim të tentativave për hyrjen ilegalisht të klandestinëve nga vendet e treta si Siria, Sudani, Algjeria, etj. 

Ndërkohë përfaqësuesi i lartë i Xhandarmërisë Mbretërore të Holandës, Gjeneral Lejtnant J.A.J Hans Leijtens, duke përgëzuar Didi për objektivat e vendosur për zhvillimin e organizatës, shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe mbështetjen e prioriteteve për të realizuar sa më me efikasitet objektivat ambicioze të vendosura.

“Unë e vlerësoj vizionin tuaj  dhe në mënyrë të veçantë prioritetin që keni për burimet njerëzore. Dua t’ju përgëzoj gjithashtu për përkushtimin që keni edhe në drejtim të menaxhimit të kufijve dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe trafiqeve të paligjshme në përgjithësi.

Unë jam i gatshëm që të bashkëpunoj  dhe t’ju ndihmoj në çdo drejtim dhe prioritet që ju keni për të realizuar sa më me efikasitet ato objektiva ambicioze që ju keni vendosur.” theksoi Leijtens.

Po ashtu Leijtens, vuri në dukje se Holanda kryeson trajnimet për oficerët e policisë që marrin pjesë në misione të sigurisë në vendet Afrikane dhe në këtë kuadër në shenjë vlerësimi për rezultatet e arritura kohët e fundit nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe për objektivat e vendosur, ftoi policinë shqiptare të bëhet pjesë e këtyre trajnimeve dhe pjesëmarrëse në këto misione.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?

Kreshnik Spahiu: Kërkojnë qeveri teknike apo bashki teknike?