MYNIH – “Me një peticion masiv prej 1 milion nënshkrimesh do t’i bëjmë presion bashkësisë ndërkombëtare për të njohur “Shqipërinë natyrale”, një shtet të vetëm shqiptar”.
 
Këtë shprehu, shpreson dhe projekton të bëjë deri në muajin nëntor nismëtari i kësaj nisme Koço Danaj, kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, në një konferencë në Mynih të Gjermanisë, siç raporton gazeta austriake “Die Presse”.
 
Të ndarë në shumë shtete ballkanike, shqiptarët ëndërrojnë një shtet të përbashkët. Shqiptarët që jetojnë edhe në shtetet tjera evropiane do të mbledhin deri në nëntor një total prej një milion nënshkrimesh.
 
Pas kësaj, listat me nënshkrime do t’iu dorëzohen qeverive të shumta, përfshirë atë gjermane, britanike dhe austriake. Për ta shënuar këtë iniciativë, do të mbahet edhe një protestë në Karlsplatz, si një prelud për peticionin, që do të organizohet në tërë Evropën.
 
E përditshmja austriake “Presse” shkruan se “BE-ja e kundërshton fuqimisht këtë projekt”. Në një konferencë për gazetarët në Mynih, Danaj deklaroi se deri në muajin nëntor duhet të mblidhen një milion nënshkrime nga shqiptarët e diasporës, të cilët jetojnë jashtë “Shqipërisë Natyrale”, shkruan gazeta austriake.
 
Pas grumbullimit të nënshkrimeve, ato do t’iu dërgohen, pos të tjerave, edhe qeverive të Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Austrisë. Projekti ka nisur me grumbullimin e mbrëmshëm të firmave në sheshin Karlsplatz të Mynihut. 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)