Digjet makina e kryetarit të Kuvendit Komunal të Leposaviçit

Digjet makina e kryetarit të Kuvendit Komunal të Leposaviçit

Kryetarit të Kuvendit Komunal të Leposaviçit, Gorski Buriç, i është djegur vetura, bëri të ditur Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, autoritetet e rendit thanë se dolën në vendin e ngjarjes pasi rreth orës 04:20 të 28 janarit pranuan informatën se në Leposaviq po digjej një veturë me targa RKS- Republika e Kosovës.

“Në afërsi të veturës, te motori është hasur një shishe plastike dhe një leckë e cila kundërmon në benzinë, e që dyshohet se është vendosur si ndezës për ta djegure veturën”, u tha në njoftim.

Policia shtoi se po ndërmerr të gjitha veprimet për të hetuar këtë rast që është iniciuar si “zjarrvënie”.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj kryetarit të Kuvendit Komunal të Leposviçit, duke thënë se kjo ngjarje dëshmon se “Serbia nuk ka ndryshuar qasjen dhe sulmet e saj kriminale ndaj qytetarëve serbë që janë besnikë ndaj institucioneve të Kosovës”.

“Ky akt është në vazhdën e djegieve të njëpasnjëshme të veturave të qytetarëve serbë që bashkëpunojnë apo angazhohen në institucionet e Republikës sonë”, u tha në reagimin e MPB-së.

Sipas MPB-së, sulmet ndaj qytetarëve serbë që angazhohen në institucionet e Kosovës kanë për synim që të krijojë “pasiguri te qytetarët tanë dhe të përcjellin edhe mesazhin e fatit të atyre që duan të angazhohen në institucionet tona”.

Në të kaluarën, në komunat në veri të Kosovës – Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – ishin djegur apo dëmtuar vetura me targa RKS.

Serbët në veri të Kosovës për një kohë të gjatë kishin kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës që targat e makinave të lëshuara nga Serbia – që Prishtina i konsideron ilegale – të konvertohen në targa RKS- Republika e Kosovës.

Por, muajve të fundit u rrit interesimi i serbëve në Kosovë për të konvertuar targat në RKS.

Së fundi, Kosova dhe Serbia po ashtu kanë nisur të lejojnë që makinat me targat e shteteve respektive të mund të lëvizin lirshëm, pa pasur nevojë që simbolet shtetërore në targa të mbulohen me letra ngjitëse.

Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Makinat ishin lejuar të kalonin, ndërkaq simbolet shtetërore në targa ishin mbuluar me letra ngjitëse.

Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.

Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase