SHKODER - Shtëpisë së Frederik Markut të vrarë dy ditë më parë në një atentat në Shkodër i është vënë flaka në orët e para të ditës. Mësohet se është djegur shtëpia e pushimit në Theth dhe makina që përdorej nga i vrari e parkuar në oborr.

Burime zyrtare bëjnë të ditur për Shqiptarja. com se njoftimi për zjarrëvënie është marrë sot në mëngjes në sallën operative nga banorë të zonës, të cilët kanë lajmëruar se po digjej një shtëpi. Forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse në vendngjarje kanë konstatuar se është shkrumbuar totalisht shtëpia e të vrarit në atenat Frederik Marku.

Sipas burimeve të besuara në policisë, shtëpisë i është lëshuar benzinë dhe më pas i është vënë flaka. Asnjë person i familjes Marku nuk ka qenë në shtëpinë e pushimit në Theth, pasi dje pasdite në orën 18:00 është përcjellë në banesën e fundit i afërmi i tyre.

Po sipas policisë mësohet se bashkë me shtëpinë, e gjitha prej druri, është djegur edhe një foristradë e parkuar në oborrin e shtëpisë, e cila ishte në pronësi të Frederik Markut. Shtëpia alpine prej druri e Frederik Markut gjendej në hyrje të fshatit turistik të Thethit. Viktima ka qenë duke bërë pushimet me familjen në Theth, kur ka ndodhur edhe konflikti me autorët e vrasjes së tij.

ATENTATI NE SHKODER, AUTORET I NGACMUAN VAJZEN

Data 31 gusht përditësimi në 14:55


Rreth orës 14:15 të ditës së sotme, policia e Shkodrës arrestoi një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Frederik Markut. Bëhet fjalë për shtetasin Leonard Nika, 25 vjeç nga Dukagjini, i cili u kap në lagjen “Tre Herojtë” të qytetit të Shkodrës.

Ngjarja e ditës së djeshme në qytetin e Shkodrës, në të cilën humbi jetën Frederik Marku dhe u plagos rëndë djali i tij 22 vjeçar, Jurgeni, duket se ka pasur shkak një provokim nga ana e autorëve të krimit ndaj familjes Marku, teksa të dyja palët ishin me pushime në Theth.

2 ditë më parë (29 gusht), autorët, ku sipas policisë së Shkodrës dyshohet se bëhet fjalë për 5 persona, kanë ngacmuar vajzës e viktimës, të cilët pushonin në Theth, fakt ky i cili ka vijuar në konflikt mes palëve.

Ndërkaq, mesditën e djeshme (30 gusht) autorët kanë denoncuar në policinë e Shkodrës viktimën Frederik Marku dhe djalin e tij Jurgenin, me arsyen se i kanë kërcënuar me jetë. Menjëherë pas denoncimit është bërë shoqërimi i viktimës dhe djalit të tij në polici, të cilët në deklaratat e tyre kanë thënë se kërcënimi me jetë ka ardhur nga pala e autorëve dhe jo prej tyre.

Duke qenë se deklaratat në polici kanë qenë kontradiktore mes palëve, Frederik dhe Jurgen Marku janë mbajtur në komisariat për të sqaruar detaje të konfliktit deri rreth orës 14:00 të ditës së djeshme.

Ndërkohë, duket se autorët nuk e kanë pritur mirë dëshminë e viktimës në polici, ndaj dhe i kanë bërë prit në afërsi të ambienteve të spitalit të Shkodrës. Nga detajet e ngjarjes, krimi është bërë i mirëorganizuar. 3 persona janë vendosur pranë spitalit, ndërsa 2 të tjerë me motor qëndronin në gatishmëri për të pritur makinën e Frederik Markut, në të cilën ndodhej edhe djali i tij.

Nga të shtënat me pistoletë nga autorët në motor kundrejt makinës në ecje, humbi jetën Frederik Marku, 46 vjeç, ndërsa mbeti i plagosur rëndë djali i tij 22 vjeçar, Jurgeni. Ndërkaq, mbi viktimën Marku mësohet se ka qenë me precedentë të mëparshëm penale, ndër to edhe për armëmbajtje pa leje.

Babë e bir ndodheshin në makinën tip Fuoristradë me targa Tr 3413 T, teksa janë qëlluar nga dy persona me motor, të cilit ishin vënë në ndjekje të viktimave.

Autorët janë larguar nga vendngjarja, ndërsa policia është vënë në kërkim të tyre dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e detajeve të ngjarjes.

(Gre.M./R.D./Shqiptarja.com)