MALIQ – Zjarri ka përfshirë një banesë në fshatin Zvezdë të bashkisë së Maliqit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë plotësisht një kat të një banese dykatëshe.

Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes, por paraprakisht dyshohet se zjarri ka nisur gjatë natës, ndërkohë që familjarët kanë qenë në gjumë, si pasojë e një defekti elektrik ose nga një sobë ngrohjeje.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shuarjen e plotë të zjarrit. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, pasi familjarët janë nxjerrë në kohë nga banesa me ndihmën e fqinjëve.

Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe Policia e Shtetit, e cila ka nisur veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit.