Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Kreshpanit të Fierit, duke krijuar rrezik për sipërfaqe me bimësi, shkurre, ullishte e vreshta.
Sipas banorëve të fshatit Kreshpan, flakët kanë nisur fillimisht në një zonë me pisha, ndërsa më pas, të favorizuara edhe nga era e fortë, janë përhapur në kodrën që lidh Kreshpanin me fshatin Vjosë.
Në terren kanë qenë rreth 100 banorë, forcat zjarrfikëse dhe dy automjete zjarrfikëse, si dhe një helikopter, të cilët kanë punuar për disa orë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Sipas burimeve nga Prefektura e Fierit vatrat kryesore janë shuar dhe situata aktualisht është vënë nën kontroll. Megjithatë, rreziku nuk konsiderohet ende i kaluar.
Forcat zjarrfikëse do të qëndrojnë gjatë gjithë natës në zonë, duke monitoruar me kujdes sipërfaqet e djegura dhe vatrat e mbetura, me qëllim parandalimin e çdo rindezjeje të mundshme të zjarrit. Ndërkohë Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për zjarrvënie në Kreshpan.
Lajmi kryesor:
Zjarr në Topojë e Kreshpan të Fierit, flakët përhapen me shpejtësi nga era e fortë! Digjen sipërfaqe me bimësi e ullishte, ndërhyhet me helikopter nga ajri (VIDEO)







