Kinemaja e qytetit të Cërrikut është djegur plotësisht rreth orës 19:00 të mbrëmjes së sotme si pasojë e një zjarri masiv që përfshiu godinën, e cila ishte ndërtuar në vitet 60'.

Pas sinjalizimit për zjarrin që kishte përfshirë godinën forcat e policisë dhe zjarrfikëset kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke punuar për neutralizimin e flakëve.

Por zjarri kishte marrë përmasa të konsiderueshme duke mos arritur që të parandalohet djegia e plotë. Flakët nuk kanë shkaktuar dëme në njerëz

Sipas hetime të para të grupit hetimor të policisë së komisariatit të qytetit të Cërrikut shkak i rënies së zjarrit ka qenë një defekt në qarkun elektrik që furnizonte me energji kinemanë që është shkrumbuar plotësisht.

Por policia është duke punuar për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes.

Djegia e kinemasë së qytetit të vogël të Cërrikut vjen pak kohë pas djegies së teatrit "Skampa" të qytetit të Elbasanit, por që tashmë është rikonstruktuar plotësisht.

dylber balla/shqiptarja.com