Disa ditë pas përmbytjeve të shkaktuara nga prurjet e lumit Osum, reshjet e pandërprera të dy ditëve të fundit kanë sjellë përmbytje të tjera në toka bujqësore e sera në fshatrat Veterrik e Goriçan, në bashkinë Dimal, Ndërkohë që dëmet që kanë lënë pas përmbytjet e një jave më parë janë kolosale. Sera të përmbytura, perime të mbuluara nga balta, bagëti e kafshë shtëpiake pa ushqim. Kjo është panorama që sheh sot në fshatrat Veterrik e Goriçan në bashkinë Dimal.
“Kemi probleme shumë. Janë përmbytur 2 dynym e gjysmë jonxhë, 2 dynym e gjysmë hasëll, perkë, koçkull janë mbytur. Ka dhe dali 1 dynym me kallinj. Unë 120 mijë lekë kam pension. Ishte ushqimi për kafshët. 2 vite që nuk ishim përmbytur. Ka ardhur 2 herë këtë vit. Tokat janë nën ujë. Kam 10 dynym që i kam mbjellë. Me 120 mijë lekë çfarë të bëj, të kujdese për vajzën apo të ushqehem. Kërkojmë ndihmë nga shteti se kam vajzën e sëmurë”, Dallëndyshe Delibashi.
Banorët pohojnë se serat e tyre u përmbytën tërësisht nga uji dhe i gjithë prodhimi i mbjelle në to, është shkatërruar i gjithi.
"Uji ka shkatërruar gjithçka, serat janë të mbuluara të gjitha nga uji, prodhimi që mbollëm u dëmtua i gjithi dhe ishte në fazën e vjeljes. Na është bërë një dëm shumë i madh dhe do na duhen të paktën 2-3 muaj që të presim tharjes e serave për ti mbjellë prapë.
Uji na mori para edhe foragjeret e bagëtive dhe çdo perime e mbjellë është nën ujë. Kemi disa ditë të përmbytur por deri më sot askush nga bashkia nuk ka ardhur, as të na shohë e as të përllogarit dëmet", shprehen banorët. Ata i bëjnë apel për ndihmë shtetit, duke deklaruar se këto përmbytje i rrënuan ekonomikisht dhe me sytë nga qielli.
“Isha të bashkia e më thanë që do të ngremë një staf emergjence. Stafi duhet të vijë sot kur ka përmbytje, jo kur të bëj serat gati. Serat kanë mbaruar janë në ujë pa u velur fare. Kur shkova dje tek bujqësia më thanë lër një shënim. Të bëjnë argjinaturën të mos na vijë lumi”, tha Sokrat Gjika.
“Na është përmbytur, grurë, misër, jonxhë. 3-4 hektarë tokë janë përmbytur. Bagëtitë duan të hanë, ushqimin nuk e marr dot. Ushqimi u mbyt i gjithi. Askush nuk ka ardhur. Të gjithë këtë problem. Dje mbolla grurin u përmbyt. Sa herë që vjen lumi përmbytemi. Argjinaturat nuk i kanë bërë”, tha Bujar Margjonaj.
Deri më tani, nga konstatimet në çdo terren nga shtabi i emergjencave në Prefekturën e qarkut Berat, raportohet se u përmbytën nga uji dhjetëra ha me sera në fshatrat Çiflik, Arrëz e Goriçan në bashkinë Dimal,në fshatrat Veterrik e Starovë në bashkinë Berat dhe rreth 100 ha tokë bujqësore e pemëtari.
Komente









