Dimri polar/ Në Kapshticë u krijua situatë kaotike, autobusët mbetën mbi 3 orë pritje! Udhëtarët: Shteti ta zgjidhte, qëndruam mes borës, me fëmijë, pleq e gra shtatzëna (VIDEO)

Kapshticë- Pas ndërprerjes së qarkullimit të kamionëve dhe autobusëve për kalim në Doganën e Kapshticës nga pala greke, numri i mjeteve, kamionave dhe autobusëve të cilët prisnin pranë kësaj dogane për të kaluar drejt Greqisë, ishte tepër i lartë deri pasditen e sotme.

Udhëtarët dhe drejtuesit e automjeteve shpreheshin të shqetësuar për këtë situatë dhe thanë se po prisin aty për mbi 3 orë për të kaluar doganën, ndërsa nuk kishin një përgjigje apo interesim nga pala shqiptare, se kur do të hapej kufiri për ta (deri në orën 14:30, 13 Janar).

Gjithashtu nuk kishin asnjë përgjigje dhe apeluan që autoritetet shtetërore të angazhohen, pasi pala greke mjetet e saj (përveç kamionëve) i lejonte të qarkullonin për hyrje drejt vendit tonë, por jo në territorin e saj nga Shqipëria.

Rreth orës 15:00 Policia Kufitare Greke ka njoftuar edhe hapjen e doganës për kamionët dhe autobusët, duke i dhënë fund pritjes së qytetarëve dhe qëndrimit për orë të tëra në acarin dimëror.

“Si nuk është situatë e vështirë, është situatë e papranueshme. Shteti shqiptar duhet të bëjë një reagim, mirë kamionat se është çështje sigurie, por autobusët nuk i lejojnë edhe pse të pajisur. Ka fëmijë, pleq, gra shtatzëna, s’kanë ushqime, ku të rrinë, tualete s’ka, ku do rrinë, kanë probleme. S’ka sqarime nga shteti shqiptar, dikush duhet të dalë të japë shpjegime, çfarë të bëjmë, të rrimë të presim, sa do presim? Nga Greqia vijnë vetura dhe autobusë, kurse këtej nuk lejohen. Janë 6 autobusë me nga 50 vetë që presin, gati 300 vetë. Dikush të angazhohet. Në Greqi janë rrugët e hapura”, thotë një prej qytetarëve, kur situata nuk kishte marrë ende zgjidhje.

Ata shprehen se ishin të painformuar paraprakisht për këtë mbyllje dhe se situata i gjeti të papërgatitur. Teksa kanë edhe probleme me letrat në vendin fqinj nëse nuk kalojnë, ndaj kërkojnë zgjidhje të situatës.

“Nuk e dimë se kur do hapet nga pala greke. Ne premë biletat dhe u nisëm, erdhëm këtu dhe na thanë po nuk e dinim. Situata shumë e vështirë, ja shiheni vetë mes të ftohtit. Duhet të ikim patjetër, më digjen dhe letrat po s’kalova sot. Agjencitë të na japin një zgjidhje, o letrat, o lekët e të ikim me taksi. Duam një zgjidhje”, thotë një tjetër.

Por teksa qëndrojnë prej 3 orësh mes të ftohtit dhe borës që nuk ka të ndalur dhe bie me intensitet, ata shprehen se ka edhe probleme pasi shumë pasagjerë janë gra, fëmijë dhe të moshuar, teksa presin për tre orë.

“Kemi 3 orë që presim. Njerëz, kalamaj, gra, ftohtë është. Nuk e dimë e sa orë do presim, nuk jep kush zgjidhje. Duhet të kalojmë patjetër se kemi problem me dokumentet”, apelon një tjetër qytetar.

Dogana greke njoftoi mbylljen e kufirit që nga dita e djeshme në orën 17:00 për autobusët dhe kamionët, duke e rihapur pasditen e sotme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:02
Ankesat e udhëtarëve dhe shoferëve në Kapshticë, Greqia hap kufirin për autobusët dhe kamionët! Merr fund pritja e gjatë

Gati 24 orë pas mbylljes së doganës për mjetet e rënda të transportit, kamionët dhe autobusët (u mbyll rreth orës 17:00 të 12 Janarit), është rikthyer lëvizja në kufi.

Ankesat e shumta të udhëtarëve gjatë gjithë ditës, me mbi 3 orë pritje në radhë, duke ngritur edhe shqetësimin se Greqia në pjesën e saj i lejonte autobusët me pasagjerë, por nga Shqipëria jo, ka sjellë edhe reagimin pasditen e sotme.

Pala greke sapo ka njoftuar se do të lejohet kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, kamionave dhe autobusëve drejt Greqisë nëpërmjet Doganës së Kapshticës. 

Burime konfirmojnë se rruga tashmë është hapur dhe mund të kalojnë lirisht të gjitha mjetet. Pas shumë orësh pritje në temperatura të ulëta, më në fund udhëtarët do të mund të shkojnë drejt Greqisë. 

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • jani: 13/01/2025 16:23

    mos u nisni ne udhe ,,kur ka kohe te keqe, ,,nidmsuni dy dite me vone, ,,nuk jemi ne vitet 30 kur niseshe me kuaj e mushka dhe ndaloje neper hane kur te zinte nata....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Disa republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve hartojnë një projektligj për blerjen e Groenlandës

Disa republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve hartojnë një projektligj për blerjen e Groenlandës