Dinamo kampione në fuqi, ia doli të fitonte të enjten 0-1 kundër Vllaznisë në Shkodër dhe të siguronte finalen e Kupës së Shqipërisë. Goli i Dejvi Bregut me një kundërsulm i dha suksesin ekipit të Ilir Dajës, teksa më 13 maj në 'Air Albania' do e diskutojë trofeun kundër Egnatias.
Pas ndeshjes, trajneri i 'Nëndetëses', Ilir Daja, tha se kjo fitore ishte një bonus i madh psikologjik për ta, duke ia dalë mes shumë mungesash.
"Urimet i shkojnë ekipit sepse Kupa ka një specifikë tjetër. Mund të bësh mirë, mund ta kurorëzosh. Është një bonus i madh psikologjik. Ndeshjen e parë nuk e kishim në favor, gabuam me topat në thellësi dhe ajo çfarë kishim. U ndje lodhja sepse kemi një kontigjent të limituar. Kemi ndeshje në kampionat dhe Kupë.
Lodhja dhe dëmtimet - Do vijë dhe moment që do kemi lodhje, nuk kemi patur mundësi të bëjmë rotacion. Qardaku dhe Qefalia vijnë nga dëmtimet, kishim qëllim të mbroheshim, sidomos në pjesën e dytë. Na vjen mirë që jemi në rrugën e duhur. Kemi amortizuar mungesat që kemi patur. Teixeira e pati pak të vështirë pasi ndjeu shqetësime në pjesën e pulpës. Kemi humbur në stërvitje dhe Nezirin", tha Ilir Daja pas kalimit në finale.
Pas sfidës foli edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini. Për golin e shënuar nga Dinamo ku Bregu doli i vetëm në dyluftim me Malën pas një topi të kthyer gjatë një sulmi të Vllaznisë, trajneri Martini tha se i ka bërtitur futbollistit të tij për të bërë faull edhe pse do merrej karton i kuq.
"Te goli, i kam bërtitur fort 'faull, faull, faull', mund të ishte karton i kuq; megjithatë iku, u bë ajo gjë tani. Bregu nuk duhet të ishte vetëm me Malën në ato momente, një fragment solli diferencën në këtë ndeshje. Iago duhej të ishte vendosur pak më mbrapa, pjesa tjetër ishin mirë. Topi doli rastësisht, është një moment që duhet të ishim më të qetë", tha për mediet pas ndeshjes Edi Martini.
Vllaznia së bashku me AF Elbasanin e kanë siguruan zonën 'Final 4' në Superligë, ndërsa edhe Egnatia, Dinamo e Partizani janë në garë për dy vendet e mbetura në kërkim të trofeut të këtij sezoni.
Komente







