TIRANË - Dinamo ia doli të fitonte 1-3 me përmbysje kundër Egnatias dhe të bënte të vetin trofeun e Superkupës së Shqipërisë. Në stadiumin ‘Air Albania’ të Tiranës, djemtë e Ilir Dajës bënë të vetin trofeun e dytë sezonal, pas atij të Kupës së Shqipërisë (po kundër Egnatias), duke zbritur nga froni kampionët në fuqi të Egnatias.

Rrogozhinasit e Edlir Tetovës kaluan në epërsi pas tetë minutave lojë me golin e Flamur Ruçit. Pjesa e dytë e sfidës foli për Dinamon, e cila riktheu avantazhin. Një gabim i prapavijës së Egnatias bëri që Dejvi Bregu të vendoste ekuilibrat në minutën e 54-t, para se Nani të përmbyste ndeshjen në minutën e 59-të.

Në fund duhej edhe Klevi Qefalija që me golin e tretë të ‘vuloste’ fitoren e Dinamos. Ky është trofeu i tretë i Superkupës për Dinamon, me Blutë që për herë të fundit e fitonin në vitin 2008.