TIRANE -  Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ngritur një grup ekspertësh të cilët po merren me verifikimin e të gjithë procedurës ligjore të ndjekur nga universiteti "Kristal" për regjistrimin dhe diplomimin e djalit të ish drejtuesit të “Lega Nord” Umberto Bossi.

Diploma mban datën 8 tetor 2010 dhe në të është shënuar se Bossi Jr ka ndjekur sistemin 3-vjeçar (bachelor) për Menaxhim Biznesi, pranë fakultetit të Administrim Biznesit të universitetit “Kristal”.

PROKURORIA ITALIANE SEKUESTRON DIPLOMEN
Prokuroria italiane sekuestron diplomën e Renzo Bossit. Diploma u gjet nga “Guardia di Finanza” në një kasafortë të ish-kancelarit të Lega Nord, Francesco Belsito, në të cilën gjendej edhe një dosje me emrin “The Family”. Diploma e shkruar në shqip mban foton e Renzo Bossit dhe notat të cilën Bossi duhet të ketë marrë gjatë ndjekjes së studimeve. Rainews24 bën të ditur se hetuesit po përpiqen të vërtetojnë nëse diploma e Bossi Jr është paguar nga paratë e Lega Nord të ardhura nga financimet publike të partive. Në kasafortë u gjet dhe një kopje e diplomës së marrë nga Pierangelo Moscagiuro (partneri i senatores legiste Rosy Mauro) në Shkencat Politike

MASH NIS VERIFIKIMET

Ministria e Arsimit do të verifikojë të gjitha procedurat ligjore të ndjekur nga universiteti "Kristal” për regjistrimin dhe diplomimin e dy shtetasve italianë, për të cilët dyshohen se diplomat janë dhënë kundrejt parave.

Sipas MASH, grupi i ekspertëve do të kalojë në sitë edhe regjistrat e këtij universiteti, në mënyrë që çështja të marrë rëndësinë e duhur. "Lidhur me lajmin e publikuar në media, për diplomimin e qytetarit italian Renzo Bossi, në institucionin e arsimit të lartë privat "Kristal", Ministria Arsimit dhe Shkencës, bën të ditur se ka kërkuar menjëherë informacion të hollësishëm nga Institucioni i Arsimit të Lartë "Kristal" dhe ka ngritur një grup pune për të inspektuar rastin në fjalë. Ndërkohë një grup monitorimi i MASH, dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë po vazhdon inspektimin në të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë privat, për zbatimin e ligjshmërisë dhe standardeve, sipas një kalendari të miratuar kohë më parë", thuhet në njoftimi zyrtar i ministrisë së Arsimit. Ndërkohë që dje Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, përndryshe ka paralajmëruar protesta në të gjithë Shqipërinë deri në shkarkimin e tij.

PROKURORIA: PO VERIFIKOJME HYRJET E RENZO BOSIT
Edhe Prokuroria e Tiranës do të nisë verifikimet për skandalin. Burimet pranë kësaj prokuroria thanë për Shqiptarja.com se verfikimet do të bëhen nga Task – Force e krimit ekonomik. Sipas burimeve do të bëhet fillimisht verifimi i hyrje – daljeve të Bossit në pikat e kalimit kufitar në Shqipëri për të konfirmuar nëse ai ka qenë osë jo vizitor në vendin tonë.

DIPLOMA E RENZO BOSSIT

Renzo rezulton i regjistruar me numrin matrikulues 482. Dokumentat e publikuara nga mediat italiane tregojnë edhe listën e tij të notave në 29 lëndë të ndryshme. Djali i senatorit italian Bossi duket se ishte më i zoti në lëndë si Financa, Matematika dhe Statistika. Por ajo që ka habitur më shumë hetuesit është se Renzo duhet të ketë dhënë provimet e 3 viteve në një: kjo pasi ai ka mbaruar gjimnazin në korrik 2009 në moshën 21-vjeçare, ndërsa sipas dokumentit të lëshuar nga Universiteti Kristal ai ka mbaruar studimet e larta në shtator 2010.

Diploma, për të cilën ka hije dyshime se mund të jetë blerë me para, është gjetur nga “Guardia di Finanza” në një kasafortë të ish-kancelarit të Lega Nord, Francesco Belsito, në të cilën gjendej edhe një dosje me emrin “The Family”. Diploma mban datën 8 tetor 2010 dhe në të është shënuar se Bossi Jr ka ndjekur sistemin 3-vjeçar (bachelor) për Menaxhim Biznesi, pranë fakultetit të Administrim Biznesit të universitetit “Kristal”.
(im/aq/sg/shqiptarja.com)