Një kampus i ri ndërkombëtar është hapur në Tiranë nga një universitet francez i specializuar në teknologji dhe universiteti kryesor inxhinierik në vend, me qëllimin për të përafruar arsimin e lartë shqiptar me standardet europiane  dhe për të sjellë brenda vendit modele funksionale të universiteteve perëndimore.

Bëhet fjalë për Universitetin e Teknologjisë të Compiègne dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, të cilët sot kanë përuruar Kampusin Ndërkombëtar UTC-UPT (ICCT).

Risia më e madhe e këtij kampusi janë diplomat e dyfishta. Studentët që regjistrohen në këto programe marrin një diplomë që njihet si në Shqipëri ashtu edhe në Francë. Mësimi në këtë program ndërkombëtar zhvillohet në disa gjuhë shqip, frëngjisht dhe në disa raste edhe anglisht

Që në tetorin e kaluar, 48 studentë janë bërë pjesë e dy programeve Bachelor në inxhinieri informatike dhe elektronike. Përzgjedhja ka qenë rigoroze, por me një qasje më fleksibël sepse njohja e gjuhës frënge nuk ka qenë kusht për t’u futur, duke i hapur derën më shumë studentëve.

Nga ana tjetër, kampusi sjell edhe një program Master të dyfishtë në inteligjencë artificiale, ku çdo vit pritet të përzgjidhen rreth 25 studentë. Kjo është një nga fushat më të kërkuara sot globalisht dhe synimi është që studentët shqiptarë të kenë akses në këtë nivel specializimi pa qenë nevoja të largohen jashtë.

Megjithatë, projekti nuk ndalet vetëm te mësimi. Në planet afatmesme dhe afatgjatë synohet ngritja e një shkolle doktorature dhe krijimi i një qendre inovacioni, e frymëzuar nga modeli francez i UTC-së, i njohur për lidhjen e fortë mes universitetit, kërkimit dhe industrisë.

Në fakt, bashkëpunimi mes dy universiteteve nuk ka nisur sot. Ai daton që nga viti 2009 dhe është ndërtuar hap pas hapi, përmes shkëmbimeve studentore, programeve të përbashkëta Master dhe përfshirjes në iniciativa europiane si Erasmus Mundus. 

Vetë modeli i universitetit francez mbi të cilin mbështetet ky projekt konsiderohet inovativ sepse ai kombinon mësimin teorik me punën praktike, projektet konkrete dhe ndërthurjen e disiplinave, duke i përgatitur studentët jo vetëm si inxhinierë, por si profesionistë që kuptojnë lidhjen mes teknologjisë, shoqërisë dhe ekonomisë.

Pas kësaj nisme qëndron edhe një mbështetje e fortë institucionale nga Franca. Përmes ambasadës në Tiranë dhe strukturave të saj, janë siguruar fonde, ekspertizë teknike dhe bashkëpunim me institucionet franceze të arsimit të lartë.

Ky kampus i ri do tu lejojë studentëve shqiptarë që të fitojnë më shumë mundësi. Ata do të mund të ndjekin programe cilësore, të marrin diploma të njohura ndërkombëtarisht dhe ta bëjnë këtë pa u larguar nga Shqipëria.