TIRANE- Të paktën 7 deputetë të Shqipërisë dhe Kosovës janë përfshirë në një proces hetimi nga prokuroria, rreth diplomimit të tyre në universitetin “Kristal”. Pas zbulimit të skandalit “Bossi”, ku akuza arriti të provojë se djali i ish-kreut të “Lega Nord” u diplomua pa qenë asnjëherë në Shqipëri, një tjetër çështje pritet të hapet në Prokurori, me protagonistë deputetët.

 Gazeta “Mapo” shkruan sot se bëhet fjalë për të paktën 5 deputetë shqiptarë dhe dy kosovarë, të cilët, sipas informacioneve të para, janë diplomuar kryesisht për Drejtësi, pa frekuentuar Universitetin, madje pa kryer vitet e plota të studimit. Ky informacion ka mbërritur në prokurori nga strukturat e specializuara që merren me hetimin e kësaj çështjeje dhe pritet t’i nënshtrohen një procesi të plotë verifikimi dhe hetimi.

Duke iu referuar burimeve twe saj, Mapo shkruan se pak ditë më parë ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës një listë me emra të diplomuarish VIP pranë universitetit “Kristal”, për të cilët jepen të dhëna se kanë përfituar diploma pa kryer vitet e plota të studimit, madje pa frekuentuar mësimin. Në këtë listë përfshihen emrat e pesë deputetëve shqiptarë dhe dy kolegëve të tyre kosovarë, ndërsa prokuroria ka vendosur të nisë verifikimet për të gjitha rastet e denoncuara, përfshi edhe diplomimin e të paktën shtatë ligjvënësve.

Për këtë arsye, grupi hetimor ka kërkuar dosjet personale të gjithë studentëve të dyshimtë, përfshi edhe deputetët, për të verifikuar gjithçka lidhet me regjistrimin, frekuentimin dhe diplomimin e tyre, kryesisht në Fakultetin e Drejtësisë.