Shkollimi nuk t’i hap gjithmonë dyert e punës. Shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vend janë 107 mijë të papunë, nga të cilët 17.800 janë me arsim të lartë, 10 mijë prej të cilëve nën 29 vjeç.
“Në Shqipëri për njerëz të kualifikuar ndonjëherë është më e vështirë sesa për njerëz të pakualifikuar”, shprehet i riu Mario Nesturi.
Edhe një diplomë master shkencor dhe specializim jashtë vendit ndonjëherë nuk garanton gjetjen e një vendi pune. Mario Nesturi, i shkolluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për mjekësi veterinare dhe me specializime në Shtetet e Bashkuara dhe në Itali, u kthye në Shqipëri me diploma të huaja, me njohuri të reja dhe bindjen se shumë dyer do ti hapeshin. Në vend të tyre, tregon se gjeti një mur burokracie.
“Jam 30 vjeç. Kam mbaruar në vitin 2019 studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, master shkencor për mjekësi veterinare. Kam kryer praktikën një intership pesëmujor Erasmus në Universitetin e Milanos për mjekësi veterinare dhe më vonë në 2023-in kam fituar një bursë studimesh ‘Full Bright’, një nga programet më prestigjioze në botë për të kryer studime në Shtetet e Bashkuara, për një master të dytë në shëndet publik. Pasi u ktheva nga Shtetet e Bashkuara tashmë me një diplomë ekstra, me një formim ekstra, me gjëra që kisha parë që në Shqipëri fatkeqësisht studentët nuk arrijnë dot t'i mësojnë dhe t'i përjetojnë, që është një fatkeqësi shumë e madhe. Kisha synime më të larta, kuptohet. Mendoja që një diplomë e përfituar në Shtetet e Bashkuara është diçka që të hap shumë dyer, por u përplasa me një realitet tjetër”, thotë Nesturi.
30-vjeçari nga Vlora, tregon për Report TV se për të mos mbetur pa punë kërkoi të rikthehej në vendin e punës në shtet si mjek veterinar në një drejtori shtetërore, ku ishte para se të largohej drejt SHBA.
“Atje pata një problem burokratik, pasi me informacionin që kisha kishte vend të lirë pune tek puna ime, por burokracitë që vinin nga Tirana, jo po duhet të na vijë kërkesë nga Vlora, pastaj Vlora thoshte që ne kemi nevojë për punë, ndërsa Tirana thoshte po duhet të shpallet me DAP të konkurrojë për vendin e punës. Vlora u thoshte atyre që ky është një punonjës që ne kemi pasur, ka qenë i provuar në punë edhe ka ikur për specializim ekstra. Nuk është një punonjës që merret për herë të parë në punë. Gjithë ky ngërç burokratik zgjati diku deri te tre muaj, derisa u detyrova që kontaktova drejtpërsëdrejti kryeministrin për ta zgjidhur. Jo për t'u ankuar që shiko unë dua të më gjesh punë, por për t'u ankuar se si funksionojnë burokracitë në Shqipëri. Pas ndërhyrjes së kryeministrit u riktheva në punën që isha”, vijon Nesturi.
Ai tregon për kontrastin e madh që ekziston mes mënyrës se si vlerësohet profesioni i veterinerit në Shtetet e Bashkuara dhe realitetit në Shqipëri.
“Sa herë më pyesnin në Amerikë cili është profesioni juaj, për çfarë ke mbaruar? U thosha veteriner dhe të gjithë habiteshin ‘më thoshin ti duhet të kesh shumë lekë, ti duhet të jesh i pasur’. Fatkeqësisht në Shqipëri është situata krejt e ndryshme”, shprehet ai.
Edhe pse sot është punësuar, mundësitë për rritje profesionale mungojnë.
“Aktualisht pozicioni, pozicioni im i punës është mjek zyrtar veteriner shërbimi që është pozicioni më i ulët faktikisht në atë drejtori. Atë pozicion kërkova kur riktheva në punë, por problemi është që nuk ka në atë departament mundësi për rritje profesionale, gjë që më bën të kem interes të ulët për punën”, thotë 30-vjeçari.
Kjo përballje me tregun e punës, e ka bërë Marion të jetë i pavendosur për qëndrimin e tij në Shqipëri.
“Unë shumë mirë mund ta kisha mundësinë sot të ndodhesha akoma në Amerikë ose të isha në Evropë. Ishte zgjedhja ime të kthehesha në Shqipëri, ashtu siç është zgjedhja ime, që pasnesër të largohem nga këto pakënaqësi që kam. Vazhdoj i ruaj kontaktet, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe në Evropë dhe kam mundësi realisht pune, por ende nuk jam i qartë nëse dua të qëndroj në Shqipëri apo të largohem”, vijon më tej.
Ai tregon se ka tentuar të kalojë në sektorin privat por, pa një përgjigje pozitive.
“Pas asaj bëra shumë aplikime si në sektorin privat. Fatkeqësisht deri tani nuk ja ka kam arritur, nuk kam pas një përgjigje pozitive”, thotë Nesturi.
Tirana thotë se ndoshta do t’i jepte më shumë mundësi por, edhe këtu ka pengesa.
“Nuk është se unë nuk dua të shkoj të punoj në Tiranë, por është problemi që me rrogat që ka Shqipëria dhe me çmimet që ka Tirana është e pamundur mbijetesa në Tiranë”, shprehet veterineri.
Këto vështirësi tregojnë edhe më shumë paradoksin që ekziston në tregun e punës në vend, në një kohë kur me mijëra biznese kërkojnë staf të rinjtë nuk arrijnë të punësohen.
Gjatë vitit të kaluar sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit, rreth 68 mijë individë rezultonin të regjistruar si punëkërkues pranë zyrave të punës, ndërkohë që 9700 biznese hapën rreth 68.860 vende të lira pune.
Komente










