TIRANË – Dy diplomatët lituanezë dhe rumunë që kanë ardhur sot në Tiranë janë pritur edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, pas takimeve që patën me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm.

Nishani priti kështu z.Linas Linkevicius, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Lituanisë, e cila kryeson Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe z.Titus Corlatean, Ministër i Punëve të Jashtme të Rumanisë, kryesuese e Presidencës së Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP).

Presidenti Nishani e ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në përmbushje të angazhimeve të duhura drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, si shprehje të politikës së vazhdueshmë të zgjerimit dhe veçoi mbështetjen dhe inkurajimin e Lituanisë dhe Rumanisë si shumë të rëndësishme dhe efektive, sepse vjen nga vende me histori të ngjashme.

Ministri Linkevicius shfaqi optimizëm se klasa politike do të vazhdojë dialogun politik normal për çështjet që lidhen me integrimin evropian, ndërsa ministri Corletean, pasi garantoi vazhdimin e mbështetjes rumune për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.

Presidenti Nishani tha: “Udhëtimi evropian nuk është i lehtë dhe as i shkurtër, por është alternativa jonë e vetme që garanton të ardhme të sigurt, standarde evropiane në institucione dhe shërbime për qytetarët dhe, për këto arsye, gëzon mbështetje të plotë publike dhe politike.”
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)