Dyshime mbi zyrtarë të ministrisë arsimit
Ky veprim hetimor është zhvilluar për të konfirmuar nëse për shitjen e diplomave, ka apo jo brenda këtij institucioni bashkëpunëtore ish-pronari i “Kristalit”, Ahmet Muçaj. Ndërkohë, diploma e sekuestruar gjatë arrestimit të 69-vjeçarit është dërguar në laboratorin e kriminalisikës për të marrë një përgjigje shkencore nëse ky dokument është falsifikuar apo jo. Diploma ka të dhëna të rreme si nisje të vitit akademik 2010 dhe vit përfundimi 2013, pra pak kohë përpara se universiteti të mbyllej, ndaj ajo që duan të kuptojnë prokurorët është nëse ky dokument lëshohej me ndihmën e ndonjë personi që ka akses në regjistrat e bllokuar apo është tërësisht fals. Pavarësisht dyshimeve, paraprakisht grupi i hetimit konstaton se numri i amzës së diplomës së blerë nga shtetasja Rudina F. është shkruar me bojë të njomë. Ndërkohë që firmat e dekanit dhe e kancelarit janë realizuar përmes procesit të skanimit. Fotokopjimi i firmës së Arben Llojes shton dyshimet se diploma është false dhe e prodhuar në një laborator nga persona të paidentifikuar.
Për korrupsion
Biznesmeni ja ka përgatitur diplomën dhe i ka thënë se duhej të paguante 2500 euro. Pikërisht në momentin kur do dorëzohej diploma dhe do paguheshin 2500 euro, Ahmet Muçaj është arrestuar nga Policia. Në kërkim është shpallur edhe një person tjetër me inicialet Y.Pepkola, i cili dyshohet se i gjente klientë Ahmet Muçajt. Vetëm muajt e fundit Muçaj u ka shitur disa personave diploma në fushat e Drejtësisë dhe Ekonomisë, duke shënuar data kur universiteti “Kristal” ishte i hapur. Pronari i ish-universitetit “Kristal” akuzohet nga Prokuroria për “Korrupsion Pasiv në sektorin privat”, një vepër penale që parashikon dënim deri në 3 vite burg. Universiteti “Kristal” gjatë kohës që ushtronte aktivitetin dyshohet se ka lëshuar diploma për student që as nuk kishin shkuar në mësim, kjo ka qenë edhe arsyeja pse u mbyll. Madje edhe djali i Umberto Bosit të Lega Nord në Itali, Renzo Bosi është pajisur me diplomë nga universiteti “Kristal” në 2010, pa ardhur fare në Tiranë.
d.b/shqiptarja.com











