Valbona Zeneli, e bija e diplomatit Bashkim Zeneli mbajti një fjalë prekëse në emër të familjes, duke kujtuar figurën e të atit, kontributin e tij në jetën publike dhe vlerat që e karakterizuan gjatë gjithë jetës.
"Je ndriçues nga ata që rrezatojnë drejtësi, zgjuarsi, vizion, butësi dhe dashuri për të bukurën. I shtrenjti ynë, jeta jote ka qenë një vepër historike, politike, shoqërore, kulturore, por një jetë e ndarë me dashurinë dhe bukurinë tënde, mamin engjëllin, siç e quajte ti.
Nuk iu përkule kurrë injorancës dhe servilizmit, jo vetëm në komunizëm, por edhe sot. Pena jote nuk iu bind kurrë askujt. Ke respektuar të thjeshtin dhe ke sfiduar pushtetarin.
Si diplomat ke ndërtuar ura. Ke mbështetur shqiptarët kudo ku ke shërbyer dhe dera e shtëpisë sonë ka qenë e hapur gjithmonë. Ke shtruar shumë rrugë të integrimit të Shqipërisë në Europë. Refuzoje kategorikisht çdo akti që mban peng njeriun, nga korrupsioni dhe klientelizmin. Ti flije gjumë qetë dhe e nisje ditën duke kënduar.
E ke jetuar jetën me shumë dashuri, me kulturë dhe shumë libra. Ditën që u ngrite në qiell do të publikohej libri yt i katërt. Je mënyra si ne do të ruajmë vlerat dhe dinjitetin tonë. Zemrat janë të thyera, por me shumë dashuri dhe kujtime. Ti je engjëlli më i bukur në parajsë. U ngrite në qiell me këngën tënde të preferuar ‘Lule bore’. Shpirti yt do të ndriçojë në qiell ashtu si në Tokë., tha ajo me lot në sy.
Lajmi kryesor:
U nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, i jepet lamtumira e fundit diplomatit Bashkim Zeneli! E bija mban fjalimin prekës: Jeta jote ka qenë një vepër historike, politike dhe kulturore


