Edhe pagën ia dërgonin në shtëpi. Në të vërtetë, Teuta nuk punonte as në zyrën e saj e as në shtëpi. Ajo ishte krejtësisht e paaftë për çdo lloj pune intelektuale, sepse ishte me një intelekt të kufizuar”.
Ky është thelbi i pohimeve kundërthënëse të Bashkim Trenovës, një ish-punonjësi të Arkivës së Shtetit, por edhe ish-diplomat e gazetar në “ZP” e “RD”, rreth atyre që ai me pak fjalë i cilëson si “kontribute të rreme” e më keq akoma, si “paaftësi intelektuale” të zonjës Teuta Hoxha, nuses së madhe të familjes së ish-diktatorit shqiptar.
Trenova është së fundmi autor i një libri me kujtime ( “Armiqtë e Popullit”, Shtëpia ALBIN, Tiranë 2012), për të cilin nuk është bërë ndonjë “zhurmë” e veçantë mediatike, por edhe i një sërë botimesh të tjera.
Sidoqoftë, ajo që na shtyu ta marrim në konsideratë paraprakisht librin e tij, ishin pikërisht pasazhet ku ai flet për zonjën Teuta Hoxha, të cilat mund të krahasohen lehtësisht me pohimet që kjo e fundit bëri vetëm pak ditë më parë në emisionin “Debat” të gazetarit Roland Qafoku ( shih: TV Channel 1, datë 14 mars 2013).
Ajo e nis intervistën duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit në lidhje me kontributet e saj që kishin të bënin me një vëllim dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, ku rrëfen se libri kishte qenë i suksesshëm për kohën dhe se i është dashur të shkojë në Stamboll, bashkë me një ish-kolegen e saj, Eleni Duka, për të rrëmuar arkivave e bibliotekave për ta përmbyllur atë vepër, për të cilën thotë se e ndiqte me interes të veçantë edhe vetë Enver Hoxha, i cili kishte një admirim e vlerësim të veçantë për “Plakun e Vlorës”.
Por Trenova dëshmon të kundërtën, duke na sjellë edhe në këtë çështje, një pohim tronditës, si: “Botimi ishte dinjitoz. Autore ishte Teuta Hoxha edhe pse ajo vetë nuk kishte punuar asnjë ditë për përgatitjen e tij”.
Përtej tyre, ai sjell në vëmendje edhe dëshmitë e nuses tjetër të familjes Hoxha, e cila prej kohësh ka qenë prezente në mediat shqiptare me pohime e kundërpohime shumë drastike që lidhen shpesh, jo vetëm me vjehrrën e saj, Nexhmije Hoxha, por edhe me karakterin dhe rolin e nuses së vogël të familjes, Teuta Hoxha.
Por pohon edhe se Teuta Hoxhës i ishte rezervuar një zyrë e veçantë në Arkivën e Shtetit, edhe pse ajo nuk mbante ndonjë post “të lartë” në këtë institucion, duke i akuzuar si “trustrucë” ata që kishin gatuar një ide të tillë, gjë e cila nuk mund ta fshihte dot kurrsesi “defektin” e saj.
Bashkim Trenova, akuzon hapur në këtë libër se puna e Teuta Hoxhës s’kishte qenë veçse një “plagjaturë e shëmtuar” e punës dhe kontributit të një çifti punonjësish “me cen në biografi”, të cilët nga frika madje e kishin dhe duhej ta perceptonin këtë që po i ndodhte më shumë si një “nder” që po i bëhej.
Ish-gazetari i “Zërit të Popullit”, madje thotë se edhe ai vetë ishte detyruar një herë t’i nënshtrohej një fenomeni të tillë, ku si personazh sërish në skenë hyn zonja Teuta Hoxha. Për më shumë, ju ftojmë të lexoni disa pasazhe të zgjedhura nga libri i Bashkim Trenovës, të cilët ilustrojnë më të plota pretendimet dhe akuzat e sipërpërmendura.
* * *
TEUTA HOXHA, E BUKUR DHE E FJETUR
Kur fillova punë si kryetar i Degës së Botimeve në Arkivin Qendror të Shtetit, në këtë Degë punonte tashmë edhe shoku im i vegjëlisë, Rinush Idrizi. Aty gjeta edhe Beqir Metën, një i ri që porsa kishte mbaruar studimet e larta……Në Degën e Botimeve punonte, formalisht, edhe Teuta Hoxha, një grua e bukur dhe e ftohtë, si prej porcelani.
Them “formalisht”, sepse gjatë 8 viteve, sa qëndrova në këtë institucion, ajo është dukur aty jo më shumë se 8-18 herë. Kur kishte rastin ta shihje, të linte përshtypjen sikur gjithnjë ishte në një gjendje gjysëm të fjetur. Ajo shtirej sikur punonte në shtëpi dhe nuk vinte në Arkiv as për të vënë firmën në regjistrin e pagave, në fund të çdo 15-ditëshi.
Edhe pagën ia dërgonin në shtëpi. Në të vërtetë, Teuta nuk punonte as në zyrën e saj e as në shtëpi. Ajo ishte krejtësisht e paaftë për çdo lloj pune intelektuale, sepse ishte me një intelekt të kufizuar. Asaj vetëm i dërgohej një pagë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit në vilën ku jetonte sëbashku me të shoqin dhe me diktatorin e bashkëshorten e tij.
Këta nuk kanë pushuar së shituri “moral të pastër proletar” edhe për disiplinën në punë, të flasin dhe kundër hilexhinjve, parazitëve e dembelëve që kërkonin të përfitonin nga shoqëria socialiste. Ata, nga nga tjetër nuk u shqetësuan asnjëherë për faktin se Teuta Hoxha, bashkëshortja e djalit të tyre, Ilir Hoxhës, nuk shkonte në punë.
Teuta, duke qenë bashkëshortja e djalit të madh të diktatorit, kishte edhe një trajtim të veçantë. Ajo, sikurse edhe drejtori dhe nëndrejtori i institucionit, kishte një zyrë të sajën.
TEUTA HOXHA ME ZYRË TË VEÇANTË
Në Arkivën e Shtetit nuk punonin njerëz që njiheshin si “armiq të popullit”. Herë-herë ngrihej ndonjë zë që kërkonte të tërhiqte vëmendjen e duke kujtuar se Eduard Zaloshnja, një djalë i zjellshëm, tepër njerëzor, kishte diçka, një lloj hije në biografi.
Përmendej se gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai i tij, më duket se kishte qenë i lidhur me “Ballin Kombëtar”, kundërshtare e komunizmit. Të tjerë, si Reshat Alia, vëllai i pasardhësit të diktatorit dhe babai i Teutës, e hidhnin poshtë origjinën “balliste” të Eduardit dhe betoheshin se e kishin verifikuar këtë gjë.
Fjalë lëshoheshin herë pas here edhe për Vehbiun, edhe ai një djalë fisnik, i shtrurar në punë dhe mjaft i edukuar. Në të vërtetë, edhe fjalët për Vehbiun nuk kishin jehonë. Atëherë përse i duhej asaj një zyrë e veçantë, nga kush do të mbrohej ajo në Arkivën e Shtetit?
Kjo zyrë i duhej Teuta Hoxhës për t’u izoluar nga punonjësit e tjerë, që të mbrohej nga çdo kontakt me ta, megjithëse nuk kishte ndonjë status zyrtar të veçantë, të ndryshëm prej tyre. Siç duket, nga paranoja nuk ishte mbërthyer vetëm diktatori, por ai ia kishte përcjellë atë edhe të tjerëve në familje.
Duke i lënë një zyrë të veçantë, pothuajse gjithnjë e mbyllur, bosh, mendohej njëkohësisht se mungesa e saj e vazhdueshme, nuk do të binte në sy. Trustrucët e kësaj zgjidhjeje mendonin se, në këtë mënyrë, mbrohej dinjiteti i familjes së diktatorit dhe i mbyllej shtegu komenteve dhe opinioneve, që natyrisht nuk do të ishin të mirëpritura prej saj, prej oborrit dhe taborrit të dallkaukëve dhe servilëve në shërbim të tyre.
* * *
TEUTA HOXHA DHE VEPRA PËR ISMAIL QEMALIN
Para se të nisja punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, më kishte tërhequr vëmendjen botimi i një vëllimi me dokumenta nga jeta dhe veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit, këtij diplomati të shtruar që ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë në vitin 1912, duke i dhënë kështu fund afro 5 shekujve pushtimi osman në Shqipëri.
Botimi ishte dinjitoz. Autore ishte Teuta Hoxha edhe pse ajo vetë nuk kishte punuar asnjë ditë për përgatitjen e tij. Në fund të fundit, ajo imitoi disi dobët Enver Hoxhën, vjehrrin e saj. Në propagandën trullosëse të Partisë së Punës, midis të tjerave theksohej se: “Duhet të frymëzohemi nga jeta dhe nga vepra e shokut Enver Hoxha”.
Ky ka botuar dhjetra e dhjetra vëllime dhe një seri librash me emrin e tij. Në të vërtetë për to ka punuar një institut i tërë, siç ishte Instituti i Studimeve Marksist-Leniniste, të cilin e drejtonte Nexhmije Hoxha. Enveri që frymëzonte një popull të tërë, madje të gjithë proletariatin dhe revolucionarët kudo në botë, nuk mund të mos frymëzonte edhe Teutën në shtëpinë e tij!
Autorë të vërtetë të vëllimit me dokumente për Ismail Qemalin ishin Rinush Idrizi dhe bashkëshortja e tij, Frida. Këtë të vërtetë e njohin të gjithë punonjësit e Arkivit Qendror të Shtetit të asaj periudhe. Këtë e pohon edhe një nga pjesëtarët e familjes Hoxha, Liliana Hoxha, gruaja e Sokol Hoxhës, djalit të dytë të diktatorit.
Në shkurtin e vitit 2006, duke folur edhe për botimin e vëllimit dokumentar kushtuar Ismail Qemalit, në një nga gazetat shqiptare, ajo thotë: “…një staf i tërë anonim punonte për të, siç qenë Rinush Idrizi me të shoqen e të tjerë më pas”. Rinushi, i ngarkuar nga Thoma Murzaku, bëri grumbullimin, seleksionimin dhe përpunimin e dokumenteve.
Frida ishte redaktorja e vëllimit. Ajo punonte në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, që mori përsipër botimin. Të dy ishin me “njollë në biografi”, të dy të goditur nga Plenumi IV famëkeq i vitit 1973. Ata duhet ta konsideronin një fat të madh faktin që punuan dhe përgatitën një vëllim dokumentar, autorësinë e të cilit do t‘ia kalonin Teuta Hoxhës.
Kështu mund të të mendonin dhe të paraqiteshin edhe si të rehabilituar. Vëllimi dokumentar mbi Ismail Qemalin, në fakt, u dha atyre edhe mundësinë që të takoheshin disa herë me Teuta Hoxhën dhe Ilir Hoxhën, takime këto që nuk mund të kalonin pa u vënë re nga burokratët partiakë e shtetërorë.
Një takim me ta ishte në atë kohë njëlloj atestimi, një lloj pasaporte, që dëshmonte se je i besuar i regjimit, ndryshe atyre as mund t’u afroheshe. Pas disa vitesh, kur fillova punë në Arkivin e Shtetit, do të bëhesha edhe unë një “Rinush” dmth do të punoja për një vëllim me dokumente, ku do të vendosej edhe emir i Teuta Hoxhës si autore.
* * *
TEUTA HOXHA, “AUTORE” E LIBRIT TË TRENOVËS
Në vitin e parë të puëns në Degën e Botimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, pra në vitin 1984, u mora edhe me grumbullimin dhe seleksionimin e dokumentave që flisnin për qëndresën antifashiste të popullit shqiptar të udhëhequr nga Partia Komuniste e Shqipërisë.
Në vitin 1984, bëheshin plot 40 vjet nga çlirimi i Shqipërisë prej pushtuesve nazi-fashistë. Në këtë kuadër Drejtoria e Arkivit të Shtetit kishte përfshirë në planet e punës së saj edhe organizimin e një ekspozite dokumentare. Këtë e hapëm në një nga sallat e Pallatit të Madh të Kulturës në qendër të Tiranës. ..
Në mbyllje të ekspozitës unë i propozova Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit që të bënim një botim të dokumentave që flisnin për veprimtarinë antifashite të heronjve të popullit, përndjekjen e tyre nga armiku, për betejat në të cilat kishin marrë pjesë, si dhe për rënien e tyre në fushën e nderit për lirinë e vendit.
Unë punova rreth një vit për grumbullimin, seleksionimin dhe përpunimin e dokumentave. Vëllimi “Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” u botua në vitin 1986. Unë figuroj si një nga tre autorët e saj, madje i fundit. Para meje, si autorë janë vendosur emrat e Thoma Murzakut dhe Teuta Hoxhës.
Nuk e kundërshtova këtë gjë. Nuk kishte shumë që isha dëbuar faktikisht nga gazeta “Zëri i Popullit” duke u trajtuar gati-gati si i sëmurë psiqik. Një kundërshti nga ana ime nuk do bënte gjë tjetër veçse do “vërtetonte” diagnozën. Nuk doja të nisja “beteja” të reja.
KUSH ËSHTË AUTORI?
Nga gazetar në ZP, në Arkivën e shtetit, RD e ambasadë
Bashkim Trenova ka lindur më 28 mars 1943 në Sevaster të Vlorës. Në vitin 1966 mbaron studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Dega Histori-Gjeografi. Pas studimeve nis menjëherë punën si redaktor në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës.
Në vitet 1972-1975 punon si baterist dhe motorist në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit. Në vitin 1975 kalon gazetar në Sektorin e Jashtëm në gazetën “Zëri i Popullit” ku punon deri në vitin 1983, duke qenë edhe përgjegjës i këtij sektori. Në vitet 1984-1990 emërohet dhe punon si Kryetar i Degës së botimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit.
Në vitet 1991-1994 kalon si gazetar dhe kryeredaktor i “Rilindjes Demokratike”. Gjatë vitit 1994-1995 kalon në Ministrinë e Jashtme si Drejtor i Drejtorisë së Shtypit dhe zëdhënës i kësaj ministrie. Në qershor të vitit 1995, deri në shtator 1997, ka kryer detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë pranë Mbretërisë së Belgjikës dhe Dukatit të Luksemburgut.
Është autor i vëllimit dokumentar “Heronjtë e Luftës Antifashgite Nacionalclirimtare”, autor i vëllimit dokumentar për përdorim të brendshëm – “Shtetëzimi, konfiskimi dhe sekuestrimi i pronës private nga shteti në vitet 1945-1948”, si dhe autor i pjesës për teatër “Çmenduristan”. Tani jeton familjarisht në Belgjikë.
Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print)17.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)