Diplomati italian, Gabriele Meucci, është emëruar në postin e shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Në një njoftim të Këshillit Evropian, thuhet se ai do të marrë detyrën në 15 tetor duke pasuar shefin e deritanishëm Bernd Borchardt.

Synimi i EULEX-it, thuhet në njoftim, është të ndihmojë dhe mbështesë autoritetet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht në sektorin e policisë, drejtësisë dhe doganave, transmeton media në Prishtinë. Misioni ndodhet aktualisht në një proces të rikonfigurimit.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve të luftës, por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen më të ndjeshme për t'u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas. Një pjesë e rëndësishme e punës së tij është e përqendruar në çështjet e trajtimit të pakicave kombëtare.

ATSH