Protestat në Iran dhe çështja e Groenlandës janë dy nga çështjet kryesore të mediave ndërkombëtare dhe jo vetëm. Diplomati Jorgji Kote përmes një lidhje të drejtëpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha Irani në këto momente ndodhet në një gjendje mjaft të vështirë. Madje sipas tij Irani nuk është parë të jetë kaq i dobët që nga viti 1979.

“Gjendja në Iran është tejet shpërthyese, për shkak se vendi nuk ka qenë në një gjendje të tillë të brendshme dhe të jashtme-kaq të dobët qysh nga viti 1979. Irani nuk ka qenë kaq keq ndonjëherë. Varfëria shtohet ashtu si edhe dhuna ndaj qytetarëve. Ndërhyrja nga jashtë sipas ekspertëve është e vetmja mënyrë për të rrëzuar regjimin në Iran”, tha Kote teksa shtoi se Turqia i ka kërkuar Trump ta shtyjë ndërhyrjen ushtarake.

Sipas Kotes, Irani nuk është gati të bëjë kalimin e pushtetit nga regjimi i tanishëm.

Më tej Kote komentoi edhe çështjen e Groenlandës, të cilën presidenti Donald Trump ka thënë se vendi i duhet SHBA-së për arsye sigurie.

“Europa është mobilizuar duke marrë me të mira presidentin Donald Trump për ta shtyrë një ndërmarrje të tillë kundër Groenlandës. Kjo është një çështje që nuk ka marrë zgjidhje edhe pas takimit të kryeministrit danez, me ministrin e jashtëm të Groenlandës dhe Vance në SHBA. Tani europianët po tentojnë me ato grupet e punës që të ndërhyjnë në bisedime me Trump që ta bindin Trump të heqë dorë nga kjo aventurë e rrezikshme”, shtoi Kote.

Në fund diplomati thotë se SHBA kërkon të sundojë të gjithë botën.

“SHBA kërkojnë sundimin e botës dhe kjo të kujton pushtimet koloniale. Kjo është një tendencë e Trump për të zgjeruar SHBA-në”, tha Kote.