Kryeministri Edi Rama ka prezantuar rubrikën e tij në Facebook-un e tij, të quajtur “Përgjigja Ime”. Kjo rubrikë, sipas Ramës, do të jetë në funksion të rritjes dhe përmirësimit të komunikimit me qytetarët e shumtë, të cilët i shkruajnë për çështje të ndryshme.

Jam angazhuar prej kohësh në komente të komenteve tuaja. E bëj me kënaqësi dhe përgjithësisht kur jam në makinë. Disa e quajnë humbje kohe, unë e quaj punë. Sipas meje, fakti që kryeministër i lexon komentuesit e tij, tregon respekt për ta.

Edi Rama, kryeministër

Rama njihet si një ndër politikanët më aktivë në rrjetet e tij sociale, ku shpesh herë spikasin edhe përgjigjet që ai u kthen komentuesve dhe ndjekësve, të cilët janë të shumtë në numër, plot 1 mln e 36 mijë.

Megjithatë kryeministri ka zgjedhur të veprojë ndryshe në Instagram duke i bllokuar të gjitha komentet e ndjekësve.  

Postimi i Ramës në Facebook:

Jam angazhuar prej kohësh në komente të komenteve tuaja. E bëj me kënaqësi dhe përgjithësisht kur jam në makinë. Disa e quajnë humbje kohe, unë e quaj punë. Sepse komunikimi me njerëzit, është pjesë e detyrës sime dhe në këto kohë, kur gënjeshtrat, fabrikimet, lajmet e rreme gëlojnë si në harados, me shumë komunikim është më shumë punë për interesin e përbashkët të së vërtetës, fakteve, informacioneve të drejtëpërdrejta. 
Disa thonë se replikat e mia ndaj komentueseve janë arrogante, tallëse apo justifikuese. Ndjesë kujtdo që i duken kështu, po nuk janë ose të paktën s'dua kurrësesi të jenë të tilla. Dua po, të jenë të troçta, pa formalizma e pa protokoll dhe nëse hera-herës kanë humor apo ironi, nuk është assesi tallje, në asnjë mënyrë. Sepse sipas meje, fakti që mirë keq, një kryeministër i lexon komentuesit e tij, tregon respekt për ta dhe fakti tjetër, që debatoj me ata që shkruajnë për "keq", s'do të thotë që justifikohem po që i begenis. Sidoqoftë, qëllimi është vetëm i mirë, të tjerat hanë të gjitha diskutim. Po pse po i shkruaj këto? Sepse dua t'ju prezantoj një "rubrikë" të re në funksion të rritjes dhe shpresoj, përmirësimit të komunikimit

Një përgjigje sy më sy, për një koment tuajin a temë të ditës

Shpresoj t'ju pëlqejë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:40
Rubrika e re e Ramës/ Kryeministri ngre 'siparin' me kritikun e tij më të ashpër: Genc, pak logjikë mik i dashur

Kryeministri Edi Rama, ka lançuar sot në Facebook, një rubrikë të re “Përgjigjia ime”. Në rubrikën e re të Ramës, kryeministri ka vendosur t’ju kthejë përgjigje disa prej komentuesve të cilët ndajnë me Kryeministrin problematika dhe akuza për mënyrën sesi Rama po e qeveris vendin.

Dhe ia ka nisur andej nga askush s’do e priste! Nga personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Genc Sejko. Sejko, i famshëm për krijimin e Meme-ve, ku si personazh kryesor është Rama, i ka komentuar kryeministrit pas vizitës që ky i fundit zhvilloi në familjen e Hysenit, ku pa nga afër gjendjen ekonomike.

Sejko, pavarësisht se nuk është anëtar i Partisë Demokratike, për shumë nga ata që e njohin është një nga kritikët më të fortë të qeverisë Rama, në “politikën e rrjeteve sociale”.

“Mjerë ata që të falenderojnë dhe nuk dinë se ti je përgjegjës direkt për gjendjen e tyre. Ke 5 vjet në pushtet, çfarë ke bërë për të luftuar skamjen? Asgjë! Për ti treguar se po bën shtet, shtëpive që po rrënohen nga varfëria ke shkuar e i ke ngulur sahatin e dritave. Më pas i hoqe ndihmën sociale dhe lekët e kursyera ja shpërndave oligarkëve të tu.Dikujt tjetër do ti vinte turp por ty nuk të bën përshtypje. Ti bën shoë dhe me mjerimin. Je kryeministër i vendit, nuk je "Fundjava Ndryshe".”-shkruan Sejko.

Komenti i Genc Sejkos

Por Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet. Duke e cilësuar si “mik i dashur”, kryeministri thotë se reforma e qeverisë ka ndihmuar më shumë familje të varfra.

“Përshëndetje Genc!

Nëse unë do të isha përgjegjës për gjendjen e tyre do të ishte shumë e thjeshtë por fatkeqësisht kjo është ti biesh me sëpatë fijes së logjikës më elementare.Nuk ka asnjë fakt, asnjë shifër, asnjë provë që të tregojë se në një fushë Shqipëria është më keq seç ishte 5 vjet më parë, përkundrazi.Natyrisht ka njerëz si Hyseni dhe familja e tij apo dhe të tjerë që nuk janë më mirë se 5 vjet më parë por njësoj. Aty ku sëpata juaj e këput fillin e logjikës është kur thua se këtë gjendje e solli sahati i dritave. Jo i dashur. Këtë gjendje e kishte krijuar mungesa e sahatit, mungesa e shtetit për të gjithë dhe e rregullave për të gjithë. Ka më pak varfëri aty ku ka shtet dhe më shumë rregull. Ti gënjen pa dashje kur thua se unë u hoqa ndihmën sociale familjeve si Hysenit se në fakt krejt e kundërta ëhstë e vërtetë. Mësoje që falë reformës sime janë sot më shumë se 10 mijë familje të varfra e morën ndihmën për herë të parë dhe më shumë se dyfishi i tyre që e merrnin padrejtësisht nuk e marrin më. Thua se lekët e kursyera ua shpërndava oligarkëve. Hej Genc, pak logjikë mik, është krej qesharake dhe nuk mbështetet në asnjë lloj filli arsyetimi dhe jo më në ndonjë fakt. Sa për turp, jo jo nuk më vjen turp të shkoj në shtëpinë e Hysenit se i kisha dhënë fjalën. Ti thua show, por për mua nuk ka pikë rëndësi çfarë thua ti por çfarë mendon Hyseni, zonja dhe fëmijët e tij",-shkruan Rama në përgjigjen e tij.