Si kryetare e forumit rinor të PD Dega 8 Tiranë, me synimin për t'i drejtuar disa pyetje Dr.Berishës, sot shkova ta bëj këtë në “foltoren” e organizuar me të rinjtë në orën 12:00. tek amfiteatri. Duhet theksuar se dega qe unë drejtoj është e vetmja në Tiranë që arriti të fitonte në zgjedhjet e 25 Prillit.

Dhe per këtë i detyrohem të rinjve që më besuan dhe i përulem strukturave për mbështetjen. Jam rritur mitingjeve të Sali Berishës dhe admiroja figurën e tij politike.

Duke qenë objektive kundrejt situatës aktuale në PD dhe se përfaqësoj një grup të rinjsh, e ndjeva detyrim të isha pjesë dhe të dëgjoja arsyet e krijimit të kësaj lëvizje.

Megjithëse për sa më siper, organizatorët e FRPD kanë dijeni të plotë, duhet ta shpreh me keqardhje që pavarësisht kërkesës time të vazhdueshme për ta marrë mikrofonin dhe për t'i drejtuar pyetjet u ndesha me mungesën e vëmendjes dhe shmangien nga ana e organizatorëve për dhënien e mundesisë së shprehjes.

Rinia është faktori vendimtar, mbështetës për demokracinë në PD, individë të veçante nuk mund ta pengojnë atë të shprehi mendimet e lira haptazi!

Ne të rinjtë e këtij vendi nuk mund të mbetemi peng i inateve personale të liderëve, qofshin edhe historik.

Andaj kisha disa pyetje për zotin Berisha të cilat nuk arrita tja drejtoja.

Pse doktori e thirri “foltoren” pikërisht pas pezullimit të tij nga grupi parlamentar?

Fill pas kësaj filloi të akuzonte zotin Basha si peng të Rames !?

Nëse PD i paska patur këto probleme më parë, pse z. Berisha nuk e bëri më parë këtë lëvizje?

Nëse PD-ja na qenka kaq e shenjtë për të, përse na shtynë drejt një fryme antiamerikane ?

Shpallja e tij "non grata" është bërë nga Sekretari Jashtëm i SHBA-ve, jo nga Basha e as nga ndonjë individ tjetër në PD.

A nuk do të ishte më e drejtë të përballej për të drejtën e tij duke mos e ngatërruar PD dhe të krijonte përçarje, pasi ne kemi nevojë më shumë se kurrë për të qenë bashkë?

A nuk do të ishte më e hijshme dhe fisnike që ne të vazhojmë ta admirojmë si lider që sakrifikon interesat e tij personale për PD?

*Kryetare e Forumit Rinor të PD-së, dega 8 Tiranë