Disa shtete në SHBA heqin kufizimet anti COVID, Presidenti Biden kundër

Disa shtete në SHBA heqin kufizimet anti COVID, Presidenti Biden kundër

Foto ilustruese

Disa shtete amerikane janë duke lehtësuar ose hequr kufizimet e COVID-19 edhe pse zyrtarët shëndetësorë dhe Presidenti Joe Biden paralajmëruan kundër tyre. Për masat e ndërmarra nga këto shtete, ka reagime të ndryshme.

Miçigani dhe Luiziana janë ndër shtetet që po lehtësojnë kufizimet ndaj COVID-19 në mbarë vendin. Të dy shtetet kanë lejuar shtimin e numrit të njerëzve që lejohen në restorante dhe biznese të tjera dhe po lejojnë gjithashtu grumbullime më të mëdha brenda dhe jashtë.

"Rritja e kapacitetit të lejuar përmes këtij urdhëri, do të vazhdojë të na lejojë të mbrojmë shëndetin publik, ndërsa ndjekim me kujdes variantet e reja dhe marrim parasysh të dhënat e shkencës", tha guvernatorja Gretchen Whitmer.

Në Teksas, guvernatori Gregg Abbott po heq detyrimin për të mbajtur maska, duke e bërë atë shtetin më të madh në Shtetet e Bashkuara që i jep fund këtij urdhri që ka për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

"Duke filluar të mërkurën tjetër, të gjitha bizneset e çdo lloji lejohen të hapen plotësisht. Këtu përfshihet çdo lloj entiteti në Teksas. Gjithashtu, unë po i jap fund detyrimit për mbajtjen e maskës në të gjithë vendin".

Pronarët e dyqaneve, restoranteve dhe klientët në Teksas kanë reagime të ndryshme. "Jemi shumë të gëzuar", thotë Elizabeth Ware duke darkuar në një restorant.

"Unë do të vazhdoj të kërkoj që të gjithë klientët të mbajnë maskë. Nëse vendosin të mos e venë ose të kundërshtojnë, do t'u kërkoj me shumë mirësjellje që të largohen", thotë Sherri Adrus, pronare e butikut Epiphany.

"Do të vazhdoj të mbaj shenjën për të kërkuar maskën dhe të shpresoj që njerëzit do ta respektojnë. A do të ndalojë dikë të hyjë në se nuk ka maskë? Jo, por unë vetë do të qëndrojë larg tyre", thotë Robert Owen pronar i një dyqani antik.

Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar kundër heqjes së urdhërit për mbajtjen e maskave në këtë periudhë.

"Mendoj se është gabim i madh. Shpresoj se tani të gjithë e kanë kuptuar se këto maska sollën ndryshimin e situatës. Ne jemi shumë pranë momentit për ta mposhtur këtë sëmundje. Dhe gjëja e fundit që na duhet tani është mendësia e vjetëruar se gjithçka është në rregull, të hiqen maskat dhe të mos përdorim më. Maskat kanë ende rëndësi”, tha presidenti.

Guvernatori i Misisipit Tate Reeves u kundërpërgjigj duke thënë në një postim në Twitter se "Misisipi nuk ka nevojë për administrues. Unë mendoj se duhet t'u besojmë amerikanëve, jo t'i fyejmë ata".

Ndërkohë, zyrtarja e lartë shëndetësore në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se vendi po hyn në disa javë kritike.

“Tre muajt e ardhshëm janë shumë të rëndësishëm. Po ju kërkoj të mendoni thellë për të mbrojtur shëndetin e vendit tonë dhe për të mbrojtur të dashurit tuaj. Pavarësisht nëse maskat janë të detyrueshme ose jo, si individë dhe si komunitete, ne ende mund të ndërmarrim veprimet e duhura për shëndetin publik, për të mbrojtur veten dhe të tjerët", tha Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Ajo thotë se ndërsa rastet në vend po ulen, po shfaqen variante të reja të COVID-it, që mund të sprapsin sukseset e arritura ndërsa shtetet ndërmarrin hapa për t'u kthyer në normalitet. VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës