Pas humbjes së shumicës në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, Donald Trump thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë me demokratët. Por brenda administratës së tij, debati është për arsyet që u kushtuan republikanëve zgjedhjet e mesmandatit.
Zv.presidenti JD Vance, i cili kishte kundërshtuar që në fillim luftën në Iran, tha se ajo ishte arsyeja e disfatës në zgjedhjet e mesmandatit. Në një postim të gjatë në X, Vance kërkoi që republikanët ta pranojnë këtë përpara se të vendosin si do të ecin më tej.
“Arsyeja pse humbëm është lufta. Vetë presidenti e tha mbrëmë. Kush dëshiron të argumentojë se ia vlejti, se humbja e Senatit për gjashtë vitet e ardhshme ia vlejti çmimit të paguar, le ta bëjë. Pavarësisht nëse jeni dakord apo jo, të paktën do të ishte e sinqertë. Por të gjithë e dinë pse humbëm. Dhe çdo bisedë e sinqertë për hapat e ardhshëm duhet të nisë nga kjo”, shkroi Vance.
Ai renditi mes kërkesave kryesore fundin e luftës, përqendrimin te kostoja e jetesës dhe inflacioni, vendosjen e Amerikës në plan të parë dhe ndryshimin e marrëdhënies me Izraelin. Atyre që kishin paralajmëruar pasojat e konfliktit, iu dha të drejtë.
“Njerëzve që janë të zemëruar dhe duan të thonë ‘Jua kishim thënë’, u përgjigjem: keni të drejtë, na e kishit thënë. Shndërrojeni atë energji në zgjedhjen e republikanëve që ndajnë botëkuptimin tuaj. Edhe ata që janë thjesht të zemëruar për rezultatin kanë të drejtë të jenë. Le ta shndërrojmë atë zemërim dhe t’i kthehemi punës për të shpëtuar vendin tonë”, shkroi ai.
Trump pranoi se Vance kishte të drejtë për ndikimin e luftës në çmimet e karburanteve. Por, pavarësisht kostos elektorale, presidenti mbrojti ndërhyrjen në Iran dhe tha se do ta bënte sërish, me argumentin se Teherani nuk mund të lejohet të pajiset me armë bërthamore.
“Ajo që tha është në pjesën më të madhe e vërtetë, sepse lufta rriti çmimin e benzinës. Por nuk kishim zgjedhje. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, deklaroi Trump.
Megjithatë, në një tjetër deklarim, ai e vuri theksin te kostoja e jetesës si arsyeja kryesore e humbjes: “Nuk ishte aq lufta, sa çmimet e larta”.
I pyetur nga gazetarët gjatë vizitës në kantierin e sallës së ballove të Shtëpisë së Bardhë, Trump hodhi poshtë edhe zërat për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
“Jo, mendoj se po bën një punë të mirë”, u përgjigj presidenti.
Për dy vitet e fundit të mandatit, Trump shprehet optimist për marrëdhënien me Kongresin e ri. Në një bisedë telefonike me CNBC, tha se mund të bashkëpunojë me shumicën demokrate për “shumë më tepër çështje nga sa mendohet”. Para gazetarëve, megjithatë, këtij bashkëpunimi i vendosi një kusht.
“Mendoj se ndoshta do të shkoj mirë me demokratët, përveçse nëse duan të jenë shkatërrues”, tha ai.
Trump deklaroi gjithashtu se nuk shqetësohet nga mundësia që demokratët të nisin një procedurë shkarkimi ndaj tij, pas marrjes së kontrollit të Kongresit.
“Jo, aspak. Mendoj se do ta shkatërronte Partinë Demokrate nëse do të nisnin një procedurë shkarkimi pa asnjë arsye. Vendi ynë sot është më i suksesshëm se kurrë”, u shpreh presidenti amerikan.











Komente
Komento